Dumani zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme, reagon Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendosjes së Altin Dumanit në krye të SPAK, zgjedhja e të cilit u shoqërua me shumë polemika.

“Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e s’kapjen e SPAK-ut nga regjimi i mori era! Urime drejtuesit të ri dhe fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete”, shkruan Rama në një postim në Twitter.

Procesi për zgjedhjen e kreut të ri të prokurorisë së posaçme SPAK u shoqërua me tensione mes kreut të qeverisë Edi Rama dhe ambasadores së SHBA-së Yuri Kim. Kim kishte theksuar vazhdimisht se SHBA do ta vëzhgojë nga afër procesin e zgjedhjes të kreut të SPAK, ndërsa kryeministri Edi Rama ka përsëritur kërkesën që ndërkombëtarët të qëndrojnë larg këtij procesi.