Japonia paralajmëroi një kthesë historike, planifikon mobilizim masiv

Japonia paralajmëroi një ndryshim historik në politikën e sigurisë, me plane për mobilizim masiv dhe dyfishim të buxhetit ushtarak për shkak të ambicieve në rritje të Kinës dhe Koresë së Veriut në rajon.

Strategjia e rishikuar e sigurisë e shpallur në dokumentin qeveritar nga kryeministri Fumi Kishida është një largim nga doktrina pacifiste e sigurisë e pas Luftës së Dytë Botërore, e vendosur në Japoni nga SHBA-ja.

Buxheti i mbrojtjes pothuajse do të dyfishohet gjatë pesë viteve të ardhshme, në dy për qind të BPV-së, duke e bërë atë të tretin më të madh në botë, pas SHBA-së dhe Kinës.

Japonia konsideron që rrethanat e sotme të sigurisë janë “më serioze dhe më të ndërlikuara” që nga Lufta e Dytë Botërore.

Prania ushtarake e Kinës në rajon përfaqëson “sfidën më të madhe strategjike”, theksohet në dokumentin, që korrespondon me pikëpamjet e SHBA-së aleate.

Japonia ka frikë se një ditë Kina mund të sulmojë Tajvanin, ashtu si Rusia sulmoi Ukrainën, transmeton agjencia DPA.

Tokio zyrtare është gjithashtu e shqetësuar nga prania e anijeve kineze pranë arkipelagut Senkaku në Detin e Kinës Lindore. Japonia e kontrollon atë arkipelag, por i njëjti përvetësohet edhe nga Kina dhe Tajvani.

Duke “bërë një deklaratë strategjike të qartë për rolin e Japonisë si garantues i sigurisë në Indo-Paqësorin”, Kishida filloi “një epokë të re në mbrojtjen e demokracisë”, vlerësoi sot ambasadori amerikan Ram Emanuel.

Megjithatë, Japonia ende këmbëngul në respektimin e një politike “që synon vetëm vetëmbrojtje”, duke vënë në dukje se nuk ka ndërmend të bëhet një fuqi ushtarake.

Tokio publikoi sot një plan për t’u rikthyer në energjinë bërthamore, i cili u braktis gradualisht pas incidentit në centralin bërthamor Fukushima në vitin 2011, si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të energjisë.