Momenti kur RENEA kap vrasësin e ish-vjehrrit dhe ish-kunatit në Lezhë
Ka zgjatur vetëm pak muaj arratia e 49-vjeçarit, Besnik Pjetri i cili vrau me armë zjarri ish-vjehrrin dhe ish-kunatin e tij në Lezhë.
Ai u kap nga forcat Renea në një banesë të braktisur në fshatin Kaçinar të Mirditës. Këto janë momentet kur efektivët e forcave speciale prangosin 49-vjeçarin, i cili nuk bëri rezistencë gjatë arrestimit.
Operacioni i koduar “Fundi i arratisë” u zhvillua pas kërkimeve të pandërprera dhe ndjekjes intensive nga ana e hetuesve, të cilët arritën të lokalizonin vendin ku fshihej autori i vrasjes së dyfishtë. Kjo falë bashkëpunimit dhe me strukturat e inteligjencës informative.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 30 gushtit në fshatin Grykë Zezë, ku 49-vjeçari Besnik Pjetri qëlloi për vdekje 56-vjeçarin Pjetër Perjaku dhe djalin e tij, 32-vjeçar Gent Perjaku.
Viktimat sapo ishin kthyer nga Italia pasi kishin një dasmë në vendlindje. Ndërsa shkak për vrasjen u bënë konfliktet e vazhdueshme mes familjes Perjaku dhe autorit pas divorcit. Kjo pasi vrasësi pretendonte se ata i kishin borxhe të pakthyera dhe se nuk e lejonin të takonte vajzat.

