“Mbrojtja” e Kosovës me maska në Beograd
“Aksion patriotik në Beograd lidhur me përkeqësimin e situatës në Kosovë”.
Së bashku me këtë koment, në platformën digjitale Telegram, grupi paraushtarak rus Vagner dërgoi një video të një proteste ku morën pjesë qindra protestues të krahut të djathtë në Beograd.
Siç u shpjegua në protestë, ajo u organizua mbrëmjen e 12 dhjetorit si shenjë “mbështetjeje për serbët” në Kosovë, të cilët ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët në veri të Kosovës.
Kjo protestë u organizua pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili akuzohet nga autoritetet kosovare se ka marrë pjesë në sulmin ndaj zyrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Që nga atëherë, Pantiq mbahet në paraburgim.
“Rusët dhe serbët janë përgjithmonë vëllezër”, thuhet në njoftimin e grupit Vagner, anëtarët e të cilit kanë luftuar në vijën e frontit në Ukrainë për Rusinë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
Në fund të nëntorit, objektet e hapura së fundi nga kjo organizatë paraushtarake në Shën Petersburg janë vizituar nga Damjan Knezheviq, kreu i grupit jozyrtar të ekstremit të djathtë “Patrulla Kombëtare” nga Serbia.
Knezheviq ishte në mesin e të pranishmëve në protestën në Beograd.
Përveç Vagner-it, organizata e Knezheviqit është e lidhur edhe me lëvizjen RUSOV, një grup tjetër i ekstremit të djathtë nga Rusia, anëtarët e të cilit gjithashtu marrin pjesë në luftën në Ukrainë.
Andrej Rodionov, themeluesi i kësaj organizate, emri i plotë i së cilës është Lëvizja Ndërkombëtare “Bashkimi dhe Rilindja Ruso-Sllave – RUSOV”, në kanalin e tij në Telegram ndër të tjera ka shkruar se “rusët do t’u vijnë në ndihmë vëllezërve të tyre serbë” në momentin kur “vërtet vjen koha që serbët ta rikthejnë tokën e tyre të shenjtë të Kosovës dhe Metohisë”.
Në të njëjtin postim, ai vlerësoi se situata aktuale në Kosovë “nuk do të eskalojë në konflikt të armatosur, por kjo vlen vetëm për tani”.
Njoftimi i tij u transmetua nga “Patrulla Kombëtare” e Knezheviqit në kanalin e saj.
Në vitet e fundit, Rodionov e ka vizituar disa herë Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Siç shihet në rrjetet e tij sociale, në nëntor të vitit të kaluar, së bashku me Damjan Knezheviqin, ai e shënoi në Beograd 100-vjetorin e eksodit të monarkistëve rusë nga Rusia pas Revolucionit të Tetorit.
Më parë, Knezheviq kishte qenë mysafir i Andrej Rodionovit në Moskë, në maj të vitit të kaluar.
Që nga fillimi i konfliktit në pjesën lindore të Ukrainës në vitin 2014, lëvizja e udhëhequr nga Rodionovi i ka mbështetur veprimet e separatistëve pro-rusë dhe RUSOV-i publikon pothuajse çdo ditë në kanalin e vet në Telegram foto të ushtarëve që mbajnë emblemën e kësaj organizate.
Disa prej tyre kanë në mëngë edhe stemën e formacionit paraushtarak mercenar Vagner, për të cilin kanë luftuar edhe qytetarë të Serbisë.
Pas vizitës në qendrën Vagner në Shën Petersburg, Damjan Knezheviq tha për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i vizitës së tij ishte “të sigurojë mbështetje në rast të një konflikti në Kosovë”.
Pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës ka folur edhe kryetari i partisë joparlamentare, e Djathta Serbe, Misha Vaciq. Natën mes 11 dhe 12 dhjetorit, ai postoi një foto në Twitter ku shihej një grup i personave të maskuar në qendër të Beogradit duke mbajtur një pankartë me mesazhin “Prisni, vëllezër, do të zbresim së shpejti, që të mund ta shohin sërish se sa kanë frikë nga serbët”.
Vaciq e ka shoqëruar foton me fjalët:
“Beogradi sonte. Përveç kolegëve të mi nga e Djathta Serbe (nga 40 qytete), mësojmë se qindra të rinj janë të gatshëm të nisen menjëherë për në Kosovë nëse fillon dhuna ndaj njerëzve në barrikada”.
Rikujtojmë se edhe Vaciq e ka mbështetur pushtimin rus të Ukrainës dhe ndoqi referendumin për bashkimin me Rusinë si vëzhgues ndërkombëtar – referendum i cili u mbajt në shtator, në rajonet e shkëputura dhe të pushtuara të Ukrainës.
Lidhjet e organizatave ruse të krahut të djathtë me grupe ekstremiste nga Serbia, Mali i Zi dhe entitetet e Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë kanë nisur vite më parë, thotë Hikmet Karçiq, bashkëpunëtor hulumtues i Institutit për Hulumtimin e Krimeve Kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Sarajevës.
“Është vetëm një nga format e politikave zyrtare të Rusisë ndaj Serbisë”, thotë Karçiq.
Ai shton se individët dhe organizatat ekstremiste ruse ofruan mbështetje për njësitë serbe gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë viteve 1992-1995.
“Pra, mbështetja e grupit paraushtarak Vagner dhe grupeve të tjera të ngjashme në këtë rast paraqet rrezik të madh”, thotë Karçiq.

