Qendra e re klinike në Shkup, projekti “fantom” në emër të cilit po pasurohen njerëzit pa bërë asnjë punë!

Shkup, 14 dhjetor – Ka kaluar një dekadë që kur është bërë premtimi i parë për ndërtimin e një Qendre të re Klinike në Shkup, që nga atëherë nuk është ndërmarrë as edhe një hap konkret në këtë drejtim, përpos që është hapur një gropë, e më vonë u zhvendos vendi i planifikuar, që projekti për realizim duhej të fillonte sërish nga fillimi. Vërtetmatësi ka kontrolluar çdo person në llogarinë e të cilëve janë lëshuar para në tre vitet e fundit nga njësia e projektit për ndërtimin e Qendrës së re Klinike – shumat lëvizin nga 5.500 deri në 90.000 denarë në muaj. Se çfarë kanë punuar konkretisht këta persona, mbetet e paqartë, sepse nuk ka njoftim për ndërtimin e qendrës së re klinike në Shkup dhe nuk është bërë rikonstruksion i asaj ekzistuese, ndërsa në Shtip ka gati gjashtë vite që ndërtimet janë duke u zhvilluar. Megjithatë, në vetëm tre vjet, disa njerëz fituan deri në 50,000 euro. Kjo tregon që për Qendrën e re Klinike në Shkup që tashmë duhej të ishte në shërbim të pacientëve, përpos që është prolonguar realizimi janë pasuruar njerëz pa bërë asnjë punë të vetme, shkruan Zhurnal.

Skandali financiar në lidhje me ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup u zbulua nga Vërtetëmatësi-

Pothuajse gjysmë milioni euro janë paguar njëzet individë nga nënllogaria e Ministrisë së Shëndetësisë, në periudhën nga viti 2020 deri në tetor të këtij viti, për projektin për ndërtimin e Qendrës së re Klinike. Përmes aplikacionit Open Finances, Vërtetmatësi ka kontrolluar çdo person, në llogarinë e të cilëve janë lëshuar para për këtë qëllim për këto tri vite – shumat lëvizin nga 5.500 deri në 90.000 denarë në muaj.

Se çfarë konkretisht kanë bërë këta persona, mbetet e paqartë, sepse nuk ka njoftim për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup dhe nuk është bërë rindërtim i asaj ekzistuese, ndërsa në Shtip është në ndërtim e sipër për gati gjashtë vjet. Megjithatë, për vetëm tre vjet, disa persona fituan edhe 50 mijë euro, pasi u ishin paguar para nga kjo nënllogari e Ministrisë, i njohur si Projekti për ndërtimin e qendrës së re klinike.

Për tre vitet e fundit, Vërtetëmatësi ka gjetur 24 persona që kanë pasur pagesa nga kjo njësi e projektit. Disa prej tyre fillimisht ishin paguar nga 90.000 denarë, ndërsa Venko Filipçe ishte ministër i Shëndetësisë, e më vonë me ardhjen e Bekim Sali kjo shumë u zvogëlua në 50.000 denarë. Ata janë paguar më së shumti 50 – 60.000 denarë, ndërsa ka vetëm një person që ka marrë 5.500 denarë në muaj për tre vjet, dhe kjo është shuma më e ulët e paguar. Në total, nga janari 2020 deri në tetor 2022, sipas llogaritjeve tona janë paguar gjithsej 458,799 euro.

Çfarë ndryshoi Ministria e Shëndëtësisë në lidhje me këtë projekt pas ardhjes së Bekim Sali në krye?

Nga ky hulumtim i bërë shihet qartazi, se ka projekte nga të cilat pasurohen njerëz në mënyrë jo të ligjshme sepse në shkëmbim të asgjëje atyre u lëshohen pagesa marramendëse. Edhe pse nga Alterantiva krekosen me kuadrin e tyre që e kanë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Bekim Sali, ky hulumtim e thotë të kundërtën në raport me projektin për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup. Sepse, ka qenë e nevojshme që njëra ndër punët e para të ministrit të ri të jetë korrigjim i punëve të gabuara të ministrave paraprak, konkretisht të ishte bërë ndërprerja e kontratave të personave të angazhuar dhe të paguar nga MSH, puna e të cilëve nuk shihet askund në praktikë.

Mbase, nëse do të kishte vepruar në këtë formë ministri aktual i Shëndetësisë, Bekim Sali, do të kishte qenë e arsyeshme krekosja e partisë së tij me këtë kuadër, tek i cili është edhe shpresa e ndryshimit të gjendjes në shëndetësi. Është e pakuptimtë dhe e pashpjegueshme si ka mundësi që nga buxheti i shtetit të derdhen aq shuma të mëdha parash për asnjë punë të bërë, qytetarët mbushin buxhetin qeveritarët zbrazin, pa u bë asnjë punë konkrete që do të ishte në shërbim të qytetarëve.

Sa është i rëndësishëm institucioni i Ministrisë së Shëndetësisë dhe si menaxhohet buxheti në këtë institucion?

Ministria e Shëndetësisë vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, por që në krye të së cilës vendosen persona që pak i kushtojnë rëndësi këtij institucioni. Qytetarët kanë nevojë të dukshme që të kenë siguri shëndetësore, që MSH të kujdeset në mënyrë të angazhuar për përmirësim të cilësisë për shërbimet që ofrohen në spitalet e vendit.

E krahas nevojave të qytetarëve po kuptohet që nga ky institucion nuk e kanë hallin e shëndetit të qytetarëve, por merren me projekte “fantome” që shfrytëzohen si pretekst për të derdhur buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë në vend të gabuar.

Ky nuk është skandali i pari e as i fundit, sepse muaj më parë u zbulua edhe një skandal tjetër financiar nga reparti i Pediatrisë në Shkup, drejtoresha e këtij reaprti e kishte shpërblyer veten me pagë deri në 5.000 euro, duke i ofruar vetës një pagë evropiane në një shtet kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Qytetarët janë të bindur se ka edhe më shumë skandale por që është çështje kohe deri sa të zbulohen, se buxheti i shtetit keqpërdoret e nuk menaxhohet në formën e duhur tashmë janë dëshmitarë të gjithë qytetarët. Se si menaxhohet buxheti në institucione të veçanta është shumë e lehtë të shihet gjendja reale dhe kuptohet qartësisht. Ta zëmë se kemi dilema në atë se si menaxhohet buxheti nga Shëndetësia, duke lënë anash këto skandale financiare, kuptohet me një vështrim të lehtë e të thjeshtë duke parë gjendjen katastrofale të spitaleve në vend, duke kujtuar situatën me pandeminë që në vend nuk kishte kapacitete të mjaftueshme për të ofruar shërbimet e duhura.

Megjithatë, nëse premtimi për ndërtimin e Qendrës së re Klinike do të ishte realizuar deri më tani, qytetarët do të trajtoheshin në një Qendër të re Klnike, me kushte moderne e në mënyrë efikase. Situata me pandeminë më lehtë e më mirë do të ishte menaxhuar sepse kishte pasur kapacitete të mjaftueshme, si kadrovike ashtu edhe me shtretër. Mbase, kriza shëndetësore me pandeminë dha përgjigjen e qartë se në çfarë gjendje të mjerueshme është shëndetësia në vend. Por, edhe dy vite më vonë asgjë nuk ndikon pandemia që shëndetësia të përgatitet për situata të paparashikuara dhe të jetë në gjendje për të ofruar ndihmën e nevojshme për qytetarët e këtij vendi. /Zhurnal.mk