OBSH: Pandemia mund të përfundohet vitin e ardhshëm
Organizata botërore e shëndetësisë (OBSH) është optimiste se gjendja e jashtëzakonshme globale shëndetësore e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit mund të përfundojë në vitin 2023.
“Shpresojmë se vitin e ardhshëm do të mund të themi: Kjo tashmë nuk është pandemi”, deklaroi sot në Gjenevë shefi i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus.
Edhe pse shtoi se “virusi është këtu të mbetet”, ai theksoi se bota ka vegla – vaksina, medikamente dhe kod të sjelljes – për t’u përballur me të. “Numri i rasteve të Mpoks, siç është riemëruar lia e majmunëve, gjithashtu është ulur për mbi 90 për qind dhe tashmë një kohë nuk ka raste të ebolës n[ë Ugandë”, tha Gebrejesus.
Duke shikuar përpara drejt vitit 2023, shefi i OBSH-së tha se “ka shumë shkaqe për shpresë dhe shumë arsye për shqetësim”. Mes tjerash, e përmendi edhe urinë, posaçërisht në Afrikë, kushtet e këqija sanitare në shumë vende në botë, ushqimin e pashëndetshëm, malarien, tuberkulozin.
OBSH nuk mund të kumtojë se pandemia “ka përfunduar”. Termi pandemi madje edhe nuk figuron në Rregullativat ndërkombëtare shëndetësore (IHR) të OBSH-së. OBSH vetëm mund ta heqë “gjendjen e jashtëzakonshme për shëndetin publik për shkak të shqetësimit ndërkombëtar” që ishte shpallur nga fundi i vitit 2020 për shkak të koronavirusit.
Qëllimi i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme është të zgjohen qeveritë për të ndërmarrë masa mbrojtëse dhe të bashkëpunojnë. Megjithatë, secili vend imponon kushte posaçërisht. Heqja e masave kundër koronavirusit në Gjermani, për shembull, nuk është kushtëzuar me heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e OBSH-së.
Sa i përket drejt rritjes së numrit të personave të infektuar në Kinë, drejtori për raste urgjente i OBSH-së, Majk Rajan, tha se shpërthimi në numra nuk është rezultat i heqjes së politikës “zero kovid”. Ai përkujtoi se virusi është përhapur fuqishëm në Kinë edhe para se të hiqen kufizimet.
“Për momentin ekziston narrativë se Kina i hoqi kufizimet dhe sëmundja menjëherë është jashtë kontrollit. Por, sëmundja përhapej intensivisht sepse, siç besoj, masat kontrolluese nuk arritën ta parandalojnë, Besoj se Kina vendosi në mënyrë strategjike se ai tashmë nuk është opsioni më i mirë”, tha ai.

