Ulja e çmimeve do të vërehet më shumë pasi të harxhohen stoqet e mëparshme
Shkup, 14 dhjetor – Tashmë ka filluar trendi i uljes së çmimeve të produkteve bazë ushqimore të përcaktuara në vendimin e Qeverisë, ndërsa do të ndodhë edhe te prodhuesit tjerë pasi të kenë harxhuar rezervat e produkteve të blera më parë me çmime më të larta, theksoi sot ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
“Ne thamë që presim ulje të çmimeve nga 7 në 12 për qind, por për momentin nuk është e mundur të ndodhë. Subvencioni që japim në sektorin e energjisë elektrike ka filluar të zbatohet nga 1 dhjetori në sektorin e kompanive, përfshirë shkollat fillore, shkollat e mesme, ndërmarrjet publike komunale etj. dhe kompanitë tashmë kanë filluar të formojnë çmime të reja që do t’i ofrojnë në treg”, tha Bekteshi në përgjigje të pyetjes para fillimit të forumit slloveno-maqedonas për bashkëpunim ekonomik.
Ai theksoi se edhe deri më 1 dhjetor supermarketet nuk ishin bosh dhe kishin produkte që bliheshin me çmime më të larta.
“Në depot e tyre kishin stoqe produktesh, edhe produkte vendase që përdorin distributor ashtu edhe produkte që importohen në vendin tonë. Këto furnizime blihen me çmime të ndryshme. Stoku i ri blihet me çmime të tjera që janë më të ulëta se stoku i mëparshëm, që do të thotë se stoku i mëparshëm duhet të harxhohet. Me shumë mundësi do të harxhohen këtë javë ose në fillim të javës së ardhshme, pas së cilës do të vërehet se do të ketë ulje të çmimeve të atyre produkteve në rrjetet e supermarketeve”, sqaroi Bekteshi.
Ai ka theksuar se Ligji për Konsumatorët është miratuar në fund të nëntorit dhe tashmë është në fuqi.
“Si çdo ligj që miratohet edhe ky ka afate për të filluar zbatimin e tij dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut është institucioni kompetent që e zbaton atë zgjidhje ligjore”, tha Bekteshi.

