Filluan punët ndërtimore në rrugën Qafë Thanë – Elbasan, një pjesë e korridorit 8
Shkup, 14 dhjetor – Pas aktiviteteve të nevojshme përgatitëse, filluan punët ndërtimore për rikonstruimin dhe zgjerimin e aksit rrugor prej vendkalimit kufitar Qafë Thanë deri në qytetin Elbasan.
Sipas drejtorit të Agjencisë për rrugë shtetërore, Ervis Berberi, punët në këtë aks rrugor do të zhvillohen në tre faza, për shkak të harxhimeve të mëdha në buxhetin shtetëror, ndërsa në këtë moment kanë filluar punët në pjesën Labinot-Fushë – Mirakë.
“Filluan punët në segmentin e parë, i cili është në gjatësi prej 5,3 kilometrave, që fillon në Labinot Fushë dhe përfundon në Mirakë. Vlera e fazës së parë të projektit është 2,6 miliardë lekë (rreth 230 milionë euro) me TVSH të përfshirë, sipas marrëveshjes së nënshkruar. Rruga do të jetë e kategorisë B, e cila përfshin 4 korsi për lëvizje me shpejtësi minimale prej 110 kilometrave në orë, e anashkalon Prenjasin dhe hynë në Rajcë”, tha Berberi.
Ai shtoi se projekti parashikon intervenim në rrugën aktuale, por edhe ndërtim të segmenteve të reja, varësisht nga terreni.
Ky segment i rëndësishëm pritet të përfundojë në afat prej dy viteve, thotë ai dhe shtoi se nëse deri sot nga Qafë Thana deri në Elbasan nevojiteshin një orë e 30 minuta, pas ndërtimit, kjo distancë do të kalohet vetëm për 35 minuta.

