Maqedonia e Veriut dhe Kosova vazhdojnë me marrëdhënie intensive dypalëshe pa çështje të hapura

Shkup, 12 dhjetor – Maqedonia e Veriut dhe Kosova vazhdojnë të kenë marrëdhënie dypalëshe konstruktive dhe intensive, pa çështje të hapura, me bashkëpunim në shumë fusha me interes të përbashkët. Kjo është konfirmuar në takimin e sotëm të kryetarëve të parlamenteve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Talat Xhaferi dhe Glauk Konjufca.

Xhaferi në konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit, theksoi se ne e mbështesim mbajtjen e seancës së dytë ndërqeveritare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.

“E njoftova se në Kuvend është ratifikuar Marrëveshja për bashkëpunim në turizëm, ndërsa në procedurë parlamentare janë ligjet për bashkëpunim në raport me diasporën, për statusin e pjesëtarëve të Ushtrisë sonë dhe të Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë stacionimit në territoret e dy vendeve dhe për partneritet në kuadër të marrëveshjeve të granteve për ndihmë teknike në kuadër të programit IPA. Këtu mendoj në përdorimin e fondeve IPA në drejtim të hapjes së pikave të reja kufitare dhe modernizimit të atyre ekzistuese”, tha Xhaferi.

Kryetari i Kuvendit e ofroi ndihmën tonë nga përvoja që kemi në drejtim të arritjes së aspiratave euroatlantike.

“Republika e Maqedonisë së Veriut ofron mbështetje të fuqishme për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mirëpresim vendimin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për t’i dhënë mandat Këshillit Evropian për të negociuar në procesin e liberalizimit për Kosovën. Ne kemi qëndrim afirmativ për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në të gjitha nismat rajonale dhe organizatat shumëpalëshe, sepse besojmë se ato forume janë vendet e vetme dhe më të përshtatshme ku mund të kontribuohet në zhvillimin e rajonit dhe ruajtjen e paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, theksoi Xhaferi.

Sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd, shtoi Xhaferi, qëndrimi ynë është i njëjtë si më parë, mbështetje e plotë deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të pranueshme për të dyja palët, marrëveshje që do të garantojë paqen, stabilitetin, sigurinë dhe përparimin e të dy vendeve dhe të gjithë rajonin.

“Sigurisht që marrëveshja e ndërmjetësuar nga BE-ja për targat është një akt që ndikon në uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe është shenjë pozitive dhe nxitje për vazhdimin e negociatave deri në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik si një nxitje shtesë për përparimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe, ne e mbështesim plotësisht atë”, tha Xhaferi.

Konjufca gjithashtu theksoi se vizita e tij ka për qëllim intensifikimin e miqësisë dhe bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut janë shembull i duhur i fqinjësisë së mirë. Kanë kaluar 13 vjet që kur Maqedonia e Veriut ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që atëherë ata kanë konfirmuar në çdo nivel përkushtimin e tyre për njohje dhe fqinjësi të mirë në të gjitha fushat. Kjo marrëdhënie nuk është vetëm formale, por edhe miqësore sepse bëhet fjalë për marrëdhënie të ngushta dhe farefisnore mes popujve të dy vendeve”, tha Konjufca

Kosova, siç shtoi, aspiron atë që aspiron edhe Maqedonia e Veriut, ndërsa ajo është anëtarësimi i plotë në BE.

“Vlerat tona janë të qarta dhe të përbashkëta. Ne ndajmë të njëjtat aspirata gjeopolitike edhe në drejtim të dënimit të agresionit rus kundër Ukrainës dhe luftës për liri dhe drejtësi për popullin ukrainas. Megjithatë, rajoni ynë nuk është plotësisht imun ndaj ndikimit të Rusisë. Kjo është veçanërisht e dukshme në ditët e fundit të veprimeve të ndërmarra nga Serbia në raport me Kosovën. Këto veprime të Serbisë janë të papranueshme dhe qëllimi i tyre është destabilizimi i Kosovës dhe ndarja e shtetit”, tha Konjufca, duke shtuar se si popull qëndrojnë të bashkuar në dënimin e këtyre veprimeve të Serbisë dhe në mbrojtje të demokracisë në Kosovë.

Ai shtoi se dënojnë ashpër, siç tha, gjuhën e urrejtjes, dhunës dhe barrikadave që qëllimisht po vendosen brenda territorit të Kosovës.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë do të ndodhë vetëm kur të njihet pavarësia e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë”, theksoi Konjufca