Bytyqi kundër marjes së ingerencave për Qytetin e Shkupit: Kjo do të kthente decentralizimin 20 vite prapa
Shkup, 12 dhjetor – Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, deklaroi sot se Qyteti i Shkupit duhet ta zgjidhë problemin me transportuesit privatë të autobusëve, ndërsa marrja eventuale e ingerencave të autoriteteve të qytetit do të ishte kthim 20 vjet mbrapa në procesin e decentralizimit.
Bytyqi në pyetjen e një gazetari, tha se Qeveria është gjithmonë aty për qytetarët, por, siç theksoi, heqja e kompetencave të Qytetit do të thotë hyrje në ndryshime thelbësore dhe sistematike dhe do të ishte e dëmshme, jo vetëm për qytetarët e Shkupit, por edhe për funksionimin e përgjithshëm të sistemit. Kjo, thekson ai, do të thotë kthim 20 vjet pas në luftën për decentralizim.
“Transporti publik në Qytetin e Shkupit është në kompetencë të Qytetit të Shkupit dhe me ligj. Unë besoj se Qyteti i Shkupit duhet të ulet dhe ta zgjidh këtë problemin. Nëse nuk është e mundur, ne kemi dëshmuar se jemi gjithmonë këtu për qytetarët. Ne e kemi zgjidhur problemin me energjinë termike, po e zgjidhim problemin me rrymën në të gjithë vendin dhe ndoshta do të hyjmë në negociata, por atëherë do të thotë diçka tjetër – a i heqen ingerencat edhe Qytetit të Shkupit, hyrje në ndryshime thelbësore dhe sistematike, nuk e di, sepse këtë sjellje të pushtetit e konsideroj të dëmshme jo vetëm për qytetarët e Qytetit të Shkupit, por edhe për funksionimin e përgjithshëm të sistemit”, tha Bytyqi.
Ai shtoi se procesi i heqjes së ingerencave nuk është i thjeshtë dhe tha se askush nuk dëmtohet nga bisedat.
“Ne luftojmë 20 vitet e fundit për decentralizim. Kjo në thelb është tipar i vendeve të mëdha në zhvillim. Marrja e ingerencave është kthim 20 vjet prapa. Ne bëjmë thirrje për arsye, bëjmë thirrje që të mos dëmtohet askush nga bisedat. Natyrisht, Qyteti i Shkupit ka argumentet e veta se pse mendon se po manipulohen dhe shantazhohen, bartësit kanë argumentet e tyre”, theksoi zëvendëskryeministri.
Transportuesit privatë edhe sot vazhdojnë me bllokadën në bulevardin “Ilinden” te Qyteti i Shkupit. Të bllokuara janë korsitë në bulevardin nga Fontana deri te SPQ “8 Shtatori”. Ndihmë që të gjendet zgjidhje për problemin me pagesën e borxhit nga Qyteti i Shkupit, të premten kërkuan edhe nga kryeministri Dimitar Kovaçevski te i cili, thonë, kanë dërguar kërkesë për takim.
Në pyetje të gazetarëve për pikat kyçe të decentralizimit, Bytyqi porositi se duhet të forcohen kapacitetet që të ofrohet ajo që më së shumti i duhet qytetarëve.
“Për fat të keq, ende në nivel të njësive të vetëqeverisjes lokale, kapacitetet njerëzore nuk janë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe kjo do të thotë se nuk ka gatishmëri për zhvillimin e projekteve të mira dhe cilësore dhe ofrimin në kohë të shërbimeve për qytetarët. Pra, ka ende shumë për të bërë, por mendoj se jemi në rrugën e duhur”, tha ai.
Në pyetjen lidhur me vendosjen e personave kompetentë në pozitat kyçe dhe problemet me partizimin, theksoi se sot shihen pasojat nga ajo që 30 vjet nuk ka pasur virtyt që të bëhet më e mira për qytetarët.
“Konsideroj se nuk është vetëm partizimi, por në përgjithësi për të dashur të avancohen proceset e caktuara është problem kyç. Por, mendoj se është mirë që flasim për arsyet, le t’i zgjidhim të njëjtat dhe të vazhdojmë mëtutje”, shtoi zëvendëskryeministri Bytyqi

