Transportuesit privatë e vazhdojnë bllokadën para Qytetit të Shkupit
Shkup, 12 dhjetor – Transportuesit privatë edhe sot vazhdojnë me bllokadën në bulevardin “Ilinden” te Qyteti i Shkupit. Të bllokuara janë korsitë në bulevardin nga Fontana deri te SPQ “8 Shtatori”.
Ndihmë që të gjendet zgjidhje për problemin me pagesën e borxhit nga Qyteti i Shkupit, të premten kërkuan edhe nga kryeministri Dimitar Kovaçevski te i cili, thonë, kanë dërguar kërkesë për takim.
Kryeministri në intervistë për MIA-n theksoi se këtë duhet ta zgjidhin kryetarja e Qytetit të Shkupit dhe shumica në Këshillin e Qytetit të Shkupit.
“Zgjidhja e problemeve ditore, menaxheriale, siç është kjo me transportuesit, nuk është punë e Qeverisë, duhet ta zgjidhë sa më parë kryetarja e Shkupit dhe shumica në Këshill nga VMRO-DPMNE për t’ua kthyer qytetin funksional në vend banorëve të Shkupit. Qytetarëve nuk u interesojnë zënkat, por zgjidhjet”, tha Kovaçevski, duke shtuar se Qeveria ka bërë gjithçka në kompetencat e saj – janë siguruar kushtet ligjore për funksionimin normal të komunave, janë dhënë grantet, ndërsa në vitin 2023 janë planifikuar të rriten bllok subvencionet dhe TVSH-ja për komunat.
Shkupi është një qytet jofunksional, i bllokuar, me transport të rrënuar publik, me qytetarë që thjesht nuk mund të kryejnë detyrat e tyre të përditshme, nuk mund të funksionojnë normalisht.
“Qytetarët po paguajnë një çmim shumë të lartë për shkak të zënkave në VMRO-DPMNE, mes Mickoskit dhe Arsovskës. Kjo është e palejueshme”, theksoi Kovaçevski.
Transportuesit privatë nga “Slloboda prevoz” dhe “Makeksepres” filluan me bllokada në kryeqytet më 28 nëntor kur me rreth 30 autobusë në udhëkryqin te Mavrovasja, gjegjësisht bulevardet “Goce Dellçev” dhe “Kërste Petkov Misirkov”, kërkuan t’iu paguhen borxhet që të mund të fillojnë përsëri me punë.
Pasi nuk kishte rezultat, transportuesit privatë më 5 dhjetor të këtij viti bënë bllokadë më të madhe me vendosjen e rreth 200 autobusëve në disa pika kryesore në kryeqytet, gjegjësisht udhëkryqet para QT Mavrovasja, Kryqi i Kuq, si dhe bulevardi “Ilinden”. Të premten i zhbllokuan udhëkryqet te Mavrovasja dhe Kryqi i Kuq.

