Arrestohet prokurori në Malin e Zi, në akuzë për organizatë kriminale
Qytetarët malazezë nuk kanë më garanci për zgjidhjen e situatës së rënduar të krimit. Të premten është arrestuar për krijimin e organizatës kriminale një prokuror special i Malit të Zi.
Krimi po bën kërdinë në Malin e Zi, por ndërsa qytetarët presin rregullimin e rendit prej autoriteteve, Policia ka arrestuar kreun e Prokurorisë së Posaçme për organizatë kriminale.
Kreu i strukturës së Posaçme të vendit fqinj, Sasha Çagjenoviq është vënë në pranga të premten për veprën e dyshuar penale ‘Krijimi i organizatës kriminale dhe shpërdorim detyre’.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë së Shtetit Vukas Radonjiç, funksionari i organit të lartë të akuzës e ka kryer veprimtarinë kriminale nga mesi i vitit 2020 deri në 2022.
Arrestimi i prokurorit të Posaçëm, Çagjenoviç bëhet në kohën kur raportet ndërkombëtare shprehen me shqetësim për situatën e rënduar kriminale në vend.
Prej disa muajsh Mali i Zi gjendet në një kaos politik.
Që pas shkarkimit të Dritan Abazoviç, ende nuk ka konsensus për formimin e një qeverie të re, pas mosmarrëveshjeve mes të ashtuquajturës shumicë parlamentare dhe presidentit Millo Gjukanoviç.

