Njëri kontrollonte rrugën, dy të tjerë trafikonin 87 pako kanabis/ Arrestohen tre persona në Gjirokastër
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar tre persona, të cilët tentuan të trafikonin 87 pako lëndë narkotike.
Policia në një njoftim për media bën me dije se në pranga kanë rënë M. Ç., 37 vjeçe dhe S. Rr., 39 vjeç, të dy banues në Gjirokastër si dhe F. T., 37 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në aksin nacional “Ersekë – Tre urat”, Përmet, automjetin tip “Volvo”, me drejtues shtetasin S. Rr. dhe pasagjere shtetasen M. Ç. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në vende të përshtatura, 87 pako të mbushura lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 70 kg.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin F. T., i cili kontrollonte rrugën, me qëllim për të sinjalizuar 2 shtetasit e tjerë, për prezencën e shërbimeve të Policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 70 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 2 automjete dhe 7 aparate celulare.

