Balla: Grupi i PPE-së, mbështetës i fuqishëm i procesit të zgjerimit
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte në Bruksel ku zhvilloi një takim me Andrey Kovatchev, anëtar i Parlamentit Evropian dhe zëdhënës i Grupit të Partive Popullore Evropiane për Zgjerimin.
Balla theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “grupi i Partive Popullore Evropiane (kristiandemokrat) është një mbështetës i fuqishëm i procesit të zgjerimit dhe perspektivës së qartë evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor”.
“Samiti i Tiranës BE-Ballkani Perëndimor i dha një momentum të ri kësaj perspektive”, u shpreh Balla.
“Gjithmonë të frytshme takimet në Parlamentin Evropian me një ndër drejtuesit kryesorë të EPP, Andrey Kovatchev, anëtar i Parlamentit Evropian dhe zëdhënës i Grupit të Partive Popullore Evropiane për Zgjerimin”, shtoi Balla.
Gjithashtu, Balla shprehu “mirënjohje për mbështetjen si President i Bordit të ACES, ku Tirana pritet të zgjidhet Qyteti Evropian i Sportit”.

