Protestë e transportuesve të autobusëve privatë në Shkup

Shkup, 5 dhjetor – Transportuesit e autobusëve privatë kanë paralajmëruar se në mëngjesin e sotëm nga ora 06:00 do të protestojnë në kryeqytet. Autobusët e tyre do të parkohen në tri lokacione, në udhëkryqin pranë QT “Mavrovasja”, afër Kryqit të Kuq në bulevardin “Ilinden”, afër Qytetit të Shkupit, ku qarkullimi do të bllokohet plotësisht.

Protesta, siç bënë të ditur për MIA-n transportuesit privatë, është në kohë të pacaktuar dhe do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të tyre për pagesën e borxhit. Thonë se nuk do të kërkojnë më takime dhe presin që t’i kontaktojnë për takime dhe bisedime. Nëse kjo nuk ndodh, kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë në udhëkryqet në Shkup edhe gjatë ditëve të punës, fundjavave dhe festave.

Sipas transportuesve privatë, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska duhet të kërkojë falje për të gjitha, siç thonë, gënjeshtrat dhe të pavërtetat e shpërndara në opinion dhe në tërësi ta shlyejë borxhin ndaj tyre. Konsiderojnë se duhet të negociohet për shpalljen e radhës në kushte, të cilat, siç thonë, do të përmirësohen nga ato që janë aktualisht për transportuesit privatë dhe ata nuk do të gjenden në një situatë të pavolitshme.

Për shkak të protestës së paralajmëruar të transportuesve, nëpunësit e policisë të SPB SVR Shkup sot do të ndërmarrin masa për regjim të veçantë të komunikacionit.

Regjimi i posaçëm i komunikacionit do të vendoset në bul. “Ilinden” – nga udhkryqi i bul. “Ilinden” me bul. “Shën Klimenti i Ohrit”, deri te udhëkryqi nga bul. “8 Shtatori” dhe bul. “Ilinden” – udhëkryqi nga rr. “11 Tetori” dhe bul. “Koço Racin” (Kryqi i Kuq) dhe udhëkryqi nga bul. “Goce Dellçev” dhe bul. “Kërste Misirkov” (Pallati i gjykatës).

Sektori i Punëve të Brendshme Shkup u apelon të gjithë qytetarëve që t’i respektojnë urdhërat e nëpunësve policorë nëpër rrugë ku do të zhvillohet ngjarja, me qëllim të sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.

Nga Qyteti i Shkupit para disa ditëve kumtuan se e ndërpresin marrëveshjen me transportuesit privatë “Slloboda prevoz” për shkak të mospërmbushjes së obligimeve që dalin nga marrëveshja. Nga Qyteti u bëjnë apel transportuesve që të rishikojnë vendimin për bllokimin e Shkupit, sepse, siç thonë, me këtë nuk do të arrijnë zgjidhje për problemin.

Autoritetet e qytetit paralajmëruan se nga java e ardhshme do të shpallet thirrje në të cilën mund të aplikojnë të gjithë transportuesit privatë, me qëllim të transparencës më të madhe të procesit dhe zgjidhjen më të lehtë të problemeve të mundshme.

U.d. drejtor i Ndërmarrje Qarkulluese Publike Aleksandar Stojkovski në intervistën për MIA-n që u publikua të shtunën, deklaroi se borxhi ndaj transportuesve privatë e ka trashëguar që kur e ka marrë funksionin para gjashtë muajve. Konsideron se duhet të shlyhet, por fillimisht duhet të përcaktohet se sa është borxhi real pasi të përfundojë inspektimi nga Policia financiare dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike.

“Qëkur e kam marrë postin gjashtë muaj më parë në NQP, kishte borxh ndaj transportuesve privatë. Gjatë punës sime, janë paguar rregullisht të gjitha faturat e faturuara që na u dorëzuan nga transportuesit privatë. Bëhet fjalë për borxh të ngecur, që ne duam në mënyrë rrjedhëse ngadalë ta përmbyllim. Pagesa e fundit është më 8 nëntor. Në periudhën e fundit kemi bërë analizë, që mendoj se është obligim i çdo drejtori që do të vjen për të bërë analizë të kompletuar funksionale dhe financiare të punës së një ndërmarrjeje. Erdhëm deri te njohuria se pesë vitet e fundit transportuesit privat nuk kanë paguar, respektivisht nuk kanë marrë borxh kurrfarë biletash, ndërsa kjo është detyrim i tyre që është dakorduar, respektivisht është i qartë neni 5 nga marrëveshja mes NQP-së dhe transportuesve privatë”, bën të ditur Stojkovski.