Shtëpia e Bardhë e përshëndeti vendimin e BE-së për kufizimin e çmimit të naftës ruse në 60 dollarë për fuçi

Shtëpia e Bardhë sonte e përshëndeti  vendimin e sotëm të Bashkimit Evropian për “veprim të përbashkët” për çështjen e kufizimit të çmimit të naftës ruse në 60 dollarë për fuçi dhe shtoi se kjo do të ketë efekt të kufizimit të të ardhurave ruse.

“Ne vazhdojmë të besojmë se kufizimi i çmimit do të ndihmojë në kufizimin e aftësisë së Putinit për të përfituar nga nafta, duke e bërë më të vështirë që ta financojë makinerinë e tij ushtarake që po vret ukrainas të pafajshëm”, deklaroi zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kirbi, transmetuan mediat britanike.

Paraprakisht, sot Bashkimi Evropian vendosi ta kufizojë çmimin në 60 dollarë për fuçi, pasi Polonia ra dakord që ta zhbllokojë marrëveshjen që ishte ngecur që prej katër ditësh.

Mekanizmi për kufizimin e çmimeve do të hyjë në fuqi të hënën, më 5 dhjetor.