Taravari: Nuk bisedohet për hyrjen tonë në Qeveri, gjithçka është gënjeshtër
Shkup, 2 dhjetor – U.d kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, sot në konferencë për media pasi dorëzoi kandidaturën për kryetar partie, tha se për momentin nuk ka negociata me koalicionin në pushtet lidhur me hyrjen e ASH-së në Qeveri. Ai tha se nëse ka diçka të tillë, opinioni do të njoftohet me kohë, informon Zhurnal.
“Nuk ka bisedime, nëse ka, do të dalim para jush dhe do të themi gjithçka që ka. Ne do të mbështesim ndryshimet kushtetuese për vendosjen e etnikumit bullgar në preambulën pa marrë parasysh nëse do të jemi pjesë e qeverisë, ose do të jemi opozitë. Kur do të ketë bisedime, do t’ju informojmë dhe do të jemi maksimalisht transprent”, tha Taravari.
Lidhur me resoret që do t’i merte ASH, Taravari shprehet se derisa nuk ka negociata për hyrje në Qeveri, nuk ka as bisedime për resore.
“Unë di se ka edhe 7-8 ministra që janë me emra me mbiemra të cilët tregohen si ministra të ardhshëm të ASH-së, ju them me plot përgjegjësi se asgjë nuk ka të saktë prej asaj”, tha më tej Taravari.
Lidhur me deklaratat që erdhën nga Alternativa se nëse ASH bëhet pjesë e Qeverisë, do të ishte thjeshtë një gomë rezervë e BDI-së, ai ua ktheu se për momentin dikush nga koalicioni aktual qeverisës është një gomë rezervë.
“Ne nuk jemi gomë rezervë e BDI-së, këtë e them me siguri, me përgjegjësinë më të madhe, dikush atje në Qeveri është gomë rezervë vetëm se nuk do të doja t’i komentoja më tej”, tha më Taravari.
Ndryshe, edhe pse Taravari mohon një gjë të tillë, të hënën pritet përgjigja përfundimtare për hyrjen e ASH-së në Qeveri. Që të tre partitë në pushtet kanë ndarë një pjesë të kulaçit për ASH-në. Thuhet se ASH do të mer Mjedisin Jetësor, Drejtësinë dhe Shëndetësinë./Zhurnal.mk

