E gjithë vëmendja te Samiti i 6 dhjetorit, 1500 efektivë policie “blindojnë” Tiranën për shkak të protestës
E gjithë vëmendja e autoriteteve shqiptare është përqendruar në Samitin e 6 dhjetorit, ku 45 delegacione nga Bashkimi Europian do të mbërrijnë në Tiranë dhe do të priten me protesta nga opozita.
Që nga presidenti francez, Emanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Sholz, dhe drejtuesit më të lartë të BE-së, kanë konfirmuar ardhjen në Tiranë. Mediat më të rëndësishme ndërkombëtare do të pasqyrojnë zhvillimet e Samitit dhe deri tani janë akredituar rreth 300 gazetarë nga Europa.
Mbi 1500 punonjës policie do të jenë në terren sipas planit të masave hartuar nga Policia e Shtetit. Në bashkëpunim me shërbimet e posaçme të huaja, Tirana do të blindohet dhe niveli i sigurisë do të jetë i shkallës më të lartë të ndodhur ndonjëherë. Prej disa ditësh ekipe nga Brukseli po koordinojnë punët për masat e ruajtjes dhe mbrojtjes së personaliteteve. Disa nga rrugët kryesore do të bllokohen, përfshi këtu edhe unaza apo segmente primare në Tiranë.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku Berisha dhe Meta pretendojnë të mbledhin protestues, do të jetë i blinduar.
Delegacionet e para do të mbërrijnë në metropol, në 5 dhjetor dhe akomodimi i tyre do të bëhet sipas një agjende të përcaktuar nga shërbimet përkatëse në bashkëpunim me policinë tonë. Në 6 dhjetor e gjitha do të nisë në orën 10 të mëngjesit, me pritjen e madhe të udhëheqësve të Evropës tek sheshi “Italia”, për të vazhduar më pas në ambientet e stadiumit “Air Albania”, aty ku do të zhvillohen punimet e Samitit.
Në orën 15:00, është parashikuar një konferencë e përbashkët e kryeministrit Edi Rama, presidentes të Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel. Në kryeministri nuk do të mungojnë takimet bilaterale. Nga Ballkani nuk pritet të ketë mungesa; Kosova do të përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani, dhe Serbia nga presidenti, Aleksandër Vuçiç.

