Një palestinez është vrarë në Bregun perëndimor
Ushtarë izraelitë sot vranë një palestinez gjatë arrestimit në Bregun perëndimor, kumtuan burime ushtarake dhe shëndetësore, transmeton Beta.
Kjo ndodhi një ditë pasi që ushtria vrau pesë palestinezë në atë territor të okupuar, mes të cilëve edhe njërin i cili me automjet përplasi një pjesëtare të armatës izraelite dhe e lëndoi rëndë atë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë sot kumtoi se një palestinez ka ndërruar jetë nga lëndimet e rënda pasi që ishte goditur me plumb në qytetin Xhabad në pjesën veriore të Bregut perëndimor.
Armata izraelite kumtoi se ka hyrë në Xhabad në afërsi të qytetit Xhenin, ku është arrestuar Abd Al Gani Hazallah, i dyshuar për aktivitet terrorist. Në kumtesë shtohet se ishte hapur zjarr pasi që persona të dyshuar të armatosur qëlluan drejt ushtarëve dhe gjuajtën mjete shpërthyese.
Forcat izraelite arrestuan 3.000 njerëz në muajt e fundit, kumtoi armata këtë javë, si pjesë e operacionit të filluar pas serisë së sulmeve vdekjeprurëse ndaj izraelitëve.
Mbi 140 palestinezë dhe së paku 25 izraelitë janë vrarë këtë vit në Bregun perëndimor, Izrael dhe Jerusalem.
I dërguari amerikan për palestinezët, Hadi Amr, sot deklaroi se administrata amerikane “e ndjek me kujdes çdo incident” dhe shprehi pikëllim të thellë për shkak të “rasteve tragjike të vdekjes” në territoret palestineze.

