Dr Stevanoviq: Pavarësisht situatës së qetë me Covid, duhet të jemi ende të kujdesshëm
Shkup, 30 nëntor – Situata me koronavirusin në vend len përshtypje se punët janë qetësuar. Për momentin, në rajon situata me KOVID-19 është stabile, por në Kinë javën e kaluar janë regjistruar 32.695 raste të infeksionit me koronavirus. Edhe pse është larg nesh, dr. Milena Stevanoviq, drejtoreshë e Klinikës Universitare për Sëmundje Ngjitëse dhe Gjendje Febrile në deklaratë për MIA-n tha se gjatë viteve të kaluara mësuam se KOVID-19 nuk është sëmundje që mund të parashihet lehtë dhe për këtë shkak duhet të respektohen masat për mbrojtje si më parë.
“Pavarësisht asaj që numrat nuk janë të tillë siç ishin, nuk guxojmë të lejojmë të mos mbrohemi. Nuk është poenta të frikësohemi dhe të bëjmë panik, por që të kujdesemi dhe të jemi përgjegjës”, porositi dr. Stevanoviq.
Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile – Shkup për momentin ka pesë deri gjashtë pacientë të hospitalizuar, përderisa në ambulancë në ditë vijnë rreth dhjetë pacientë. Drejtoresha e Klinikës së Sëmundjeve Ngjitëse tha se kovidi dhe gripi kanë simptoma të ngjashme, si temperaturë e lartë, dhimbje serioze në kokë, plogështi dhe për këtë arsye kërkojnë që pacientët të testohen.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në periudhën prej 21 deri 27 nëntor 2022 janë regjistruar 174 raste të reja me KOVID-19. Janë regjistruar dy të vdekur gjatë javës së kaluar. Bëhet fjalë për një person nga Shkupi dhe një person nga Kumanova, me komorbiditete dhe të vdekur në spital. Për momentin aktive janë 172 raste.
Sipas raporteve nga spitalet, për momentin janë të hospitalizuar gjithsej 33 persona, me 32 për qind rritje në krahasim me javën e kaluar, prej tyre gjashtë janë në mbështetje oksigjeni dhe nuk ka pacientë në ventilim mekanik invasiv/joinvasiv.

