Një sulmues vrau gjashtë veta në Virxhinia
Një sulmues hapi zjarr në një dyqan të rrjetit Walmart në Virxhinia të martën vonë, duke vrarë gjashtë veta, në vrasjen e dytë masive të profilit të lartë në pak ditë. Policia tha se edhe sulmuesi ka vdekur.
Dyqani në Chesapeake tani është i sigurt dhe ka të mbetet i mbyllur për disa ditë gjatë hetimit, tha oficeri Leo Kosinski në orët e para të së mërkurës.
Sulmi ndodhi tre ditë pasi një person hapi zjarr në një klub nate të komunitetit LGBTI në Kolorado, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur 17 të tjerë. Më herët gjatë vitit, vendi u trondit nga vrasja e 21 personave kur një person i armatosur sulmoi një shkollë fillore në Uvalde, Teksas.
Sulmi i së martës solli gjithashtu kujtimet e një sulmi tjetë në një dyqan Walmart në vitin 2019, kur një person i armatosur që tha se po shënjestëronte meksikanët, hapi zjarr në një dyqan në El Paso dhe vrau 22 veta.
Më herët, oficeri Kosinski nuk mund të thoshte se si vdiq i armatosuri, por nuk besonte se është qëlluar nga policia.
Të shtënat me sa duket kishin përfunduar kur policia arriti në dyqanin në Chesapeake, që është qyteti i dytë më i madh i Virxhinias dhe shtrihet pranë komuniteteve bregdetare të Norfolkut dhe Virginia Beach.
Walmart shkroi në Twitter herët të mërkurën se ishte “tronditur nga kjo ngjarje tragjike”.
Senatori amerikan Mark Warner tha në një postim në Twitter se ishte “i neveritur nga raportet për një tjetër sulm masiv, këtë herë në një Walmart në Chesapeake”.
Senatorja e shtetit Louise Lucas i bëri jehonë postimit te senatorit Warner, duke shkruar se ajo ishte “absolutisht zemërthyer që vrasja e fundit masive e Amerikës ndodhi në një Walmart në rrethin tim”.

