Forum socio-ekologjik për politikat energjetike të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja
Shkup, 22 nëntor – Në Shkup sot mbahet Forumi i dytë socio-ekologjik (FSE) në organizim të Fondacionit “Fridrih Ebert”, Qendra ndërkombëtare “Olof Palme” dhe Progres – Instituti për demokraci sociale.
Në forum do të marrin pjesë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi. Koveçevski do të marrë pjesë në panelin “Transformimi i drejtë social energjetik i Evropës”, ndërsa Bytyqi në panelin me temë “Demokracia ka nevojë për demokratë, kurse energjia ka nevojë për demokratizim”.
“Forumi do të mundësojë hapësirë për debat dhe diskutim në lidhje me politikat energjetike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian. Sfidat mjedisore, agjenda e gjelbër, nxitja e kohezionit social përmes investimeve në punësim, arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës dhe shërbimet cilësore për përfshirjen dhe mbrojtjen sociale, do të jenë të larta në agjendën e Forumit të dytë socio-ekologjik radhazi. Sipas organizatorëve është planifikuar pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë nga Evropa dhe rajoni, nga sektori civil, ekspertë të kësaj teme, drejtues të rinj, aktivistë dhe gazetarë.
Ata shtojnë se pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe Martin Shulc, kryetar i Fondacionit “Fridrih Ebert” dhe ish-kryetar i Parlamentit Evropian, kryeministri i Kosovës Albin Kruti, ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë – An Linde, si dhe politikanë dhe ekspertë të tjerë nga vendi, rajoni dhe BE-ja.
Forumi socio-ekologjik në Shkup, thonë organizatorët, është një platformë për shkëmbimin e ideve progresive, e cila u mundëson përfaqësuesve dhe vendimmarrësve të rangut të lartë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe BE-së të diskutojnë nevojat dhe mundësitë për një transformim të drejtë energjetik që do të forcojë sigurinë e vendeve në furnizimin me energji, do të mundësojë zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomive dhe do t’i japë fund aksesit të kufizuar dhe të gjitha sfidave që sjell përdorimi i lëndëve djegëse fosile, veçanërisht të dukshme në rajon.

