Kovaçevski: Ta zhvillojmë rajonin në një fuqi të re energjetike
Beograd, 17 nëntor – Bashkëpunimi rajonal është mënyra e vetme për të kapërcyer çdo krizë dhe për të ndërtuar pavarësinë energjetike. Kjo është një mundësi për të shfrytëzuar burimet e energjisë së gjelbër që kemi në Ballkan dhe për ta zhvilluar rajonin në një fuqi të re energjetike, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e përbashkët për shtyp në Beograd me liderët nga Ballkani Perëndimor, pjesëmarrës në Konferencën për Investimet në burimet e rinovueshme të energjisë në vendet e rajonit, të organizuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Ambasada e Norvegjisë.
“Në 30 vitet e fundit, rajoni ka qenë subjekt i ndarjeve dhe mosmarrëveshjeve, por në dy vitet e fundit është bërë rajon i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve të mira fqinjësore. E vetmja mënyrë për të kapërcyer çdo krizë dhe për të ndërtuar pavarësinë energjetike është e mundur vetëm përmes bashkëpunimit rajonal, duke pasur parasysh përmasat dhe vëllimin e investimeve që duhen bërë, të cilat asnjë vend i vetëm nuk mund t’i bëjë i vetëm. Na pret një dimër i vështirë, por me solidaritet dhe bashkëpunim mes nesh do ta kalojmë më lehtë këtë krizë”, tha Kovaçevski.
Kryeministri vuri në dukje se vendet e rajonit nuk e kanë luksin të kenë shumë hapësirë fiskale, siç është Norvegjia, ndaj duhet të jenë më shpikës dhe më të shkathët.
“Prandaj e falënderova presidentin Vuçiq për shkathtësinë e tij për të organizuar këtë ngjarje sot, ku ne mund të prezantojmë potencialin e rajonit për të gjithë ata që duan dhe mund të investojnë dhe posedojnë njohuri”, theksoi Kovaçevski.
Kryeministri kujtoi se vendi ka përvojë edhe me Norvegjinë, e cila ka pasur pjesë në ndërtimin e turbinave me erë në parkun e Bogdancit dhe në rivitalizimin e disa hidrocentraleve në vend.
“Ka hapësirë për bashkëpunim rajonal, ekzistojnë projekte dhe ka edhe mënyra të financimit, disa projekte janë kryer, disa janë në fazë të avancuar të realizimit”, shtoi Kovaçevski.
Ai u bëri thirrje investitorëve nga Norvegjia që të investojnë në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Maqedonia e Veriut arriti të zhbllokojë rrugën për në Evropë dhe të inkuadrohet në NATO dhe të krijojë një Ballkan të hapur me vendet e rajonit, gjë që na vë në një pozitë krejtësisht të ndryshme nga ajo që ishim vetëm pesë vjet më parë”, theksoi Kovaçevski.
Duke iu referuar investimeve të bëra nga shteti në fushën e energjetikës, Kovaçevski theksoi se në 10 muajt e fundit janë instaluar 27 megavat të termocentraleve fotovoltaike, ndërsa në fazën e negociatave janë disa marrëveshje për investime të huaja në projekte për ndërtimin e termocentraleve fotovoltaike dhe turbinave të erës dhe termocentralet e gazit me investitorë nga Franca, Gjermania dhe Greqia. Po punohet edhe për ndërtimin e interkonektorit të ri nga Greqia në TEC “Negotinë”, dhe me Bullgarinë është arritur marrëveshje për ndërtimin e një interkonektori tjetër nga Petriçi në Strumicë, i cili, sipas Kovaçevskit, do t’i jepte vendit tre interkonektorë.
Hidrocentrali “Çebren”, për të cilin deri më tani ka pasur 13 përpjekje të pasuksesshme dhe për të cilin Kovaçevski pret që të zgjidhet një ofertues, tha se do të jetë një projekt strategjik jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjithë rajonin.

