KB i ka bërë thirrje Iranit që të lirojë protestuesit paqësorë të arrestuar
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut i ka kërkuar qeverisë iraniane që të lirojë menjëherë mijëra protestues të arrestuar për pjesëmarrje në protesta paqësore.
Zëdhënësi i zyrës së Komisarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të KB-së, Xheremi Lorens, theksoi se po kërkon që të gjitha akuzat ndaj protestuesve të hiqen.
Ai shprehu shqetësimin se të paktën dhjetë protestues mund të akuzohen për krime që parashikojnë dënimin me vdekje, duke përfshirë edhe një që u shpall fajtor për dëmtim të pronës publike. Veprat e dënueshme me vdekje në Iran përfshijnë “luftën kundër Zotit”, korrupsion dhe dëmtim të pronës publike.
“Në vend që të hapin një hapësirë për dialog për ankesat legjitime, autoritetet po i përgjigjen protestave të paprecedentë me brutalitet të shtuar”, theksoi Lorens në një konferencë për shtyp në Gjenevë.
Ndërsa Gjermania dhe Islanda po bëjnë thirrje që Këshilli i të Drejtave të Njeriut të krijojë një mision të posaçëm të fakteve, i përbërë nga një ekip ekspertësh të pavarur të të drejtave të njeriut, për të hetuar abuzimet e të drejtave të njeriut në Iran gjatë protestave.
Demonstratat për vdekjen e 22-vjeçares Mahse Amini nisën më 16 shtator.
Këshilli i të Drejtave të Njeriut, i përbërë nga përfaqësues të 47 shteteve anëtare, është planifikuar të mbajë një seancë speciale më 24 nëntor për të diskutuar situatën në Iran dhe për të votuar propozimin që përfshin një thirrje për një mision të mbledhjes së fakteve.

