Digjet edhe një veturë me targa RKS në Zveçan

Një tjetër veturë me targa RKS në Veri të Mitrovicës është djegur të martën e tetë nëntorit.

Vetura ishte pronë e një qytetareje serbe me banim në komunën e Zveçanit, ka njoftuar policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Në zonën rajonale të Mitrovicës Veri i vihet zjarri një veture me targa RKS Prishtinë, 8 nëntor 2022 Policia e Kosovës, me datën 08.11.2022, ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture me targa RKS, pronë e viktimës femër kosovare e komunitetit serb, me banim në komunën e Zveqanit”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin nuk raportohet për ndonjë person të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara nga vënia e zjarrit në automjet.

“Policia e Kosovës lidhur me rastin ka ndërmarr veprimet e nevojshme operativo hetimore. Policia e Kosovës do të kujdeset në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe zbulimin e akteve të tilla kriminale”, vijon njoftimi.