Nënpresidenti brazilian Murao pranoi se Bolsonaro i humbi zgjedhjet

Tre ditë pas rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Brazil, nënpresidenti Hamilton Murao pranoi se presidenti aktual, Zhair Bolsonaro humbi në garën për mandat të dytë nga Luis Inasio Lula da Silva, lajmëroi DPA.

“Tashmë nuk ka kuptim të vajtojmë – e humbën lojën. Nuk ka për çka të ndjejmë keqardhje”, e citoi gazeta “O Globo” deklaratën e sotme të ish-gjeneralit të armatës.

Murao tha se beson se nuk ka pasur mashtrim zgjedhor.

Bolsonaro në zgjedhjet e së dielës u mposht ngushtë nga sfiduesi i tij majtist, Lula da Silva, i cili fitoi 50,9 për qind të votave të brazilianëve derisa ai fitoi 49,1 për qind.

Në deklaratën e tij të parë publike pas zgjedhjeve, Bolsonaro mbrëmë nuk e pranoi humbjen dhe nuk e uroi Lulan për fitoren. Në vend të kësaj, ai edhe njëherë hodhi dyshime ndaj sistemit zgjedhor dhe shprehi mirëkuptim për mbështetësit e tij të cilët bllokuan shumë rrugë të vendit, në shenjë proteste ndaj fitores së Lulas, transmetoi DPA.