Propozim buxheti për vitin 2023:Rritja e ekonomisë prej 2,9 dhe inflacioni prej 7,1 për qind

Shkup, 2 nëntor – Rritje ekonomike prej 2,9 për qind të ekonomisë vendore parasheh Propozim-buxheti për vitin 2023 që sot u miratua nga Qeveria. Rritja e aktivitetit ekonomik edhe më tej do të jetë e lëvizshme nga kërkesa vendore, Shkalla e inflacionit, sipas pritjeve, gradualisht do të stabilizohet dhe është projektuar në 7,1 për qind për vitin e ardhshëm.

Të ardhurat e përgjithshme në Propozim-buxhetin janë planifikuar në nivel prej 282 miliardë denarëve dhe janë më të larta për 14,8 për qind në raport me vitin 2022, ndërsa shpenzimet në nivel prej 324,8 miliardë denarë apo janë për 12,6 për qind më të larta në raport me vitin 2022. Deficiti buxhetor është në nivel prej 4,6 për qind të BPV-së së planifikuar.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi sot në konferencë për shtyp theksoi se qëllimi i Propozim-buxhetit i cili është përgatitur në pajtim me Ligjin e ri për buxhete, është të mirëmbahet rritja ekonomike, të kryhen rregullisht të gjitha obligimet e shtetit dhe të mbështeten reformat dhe proceset eurointegruese.

“Në kushte të krizës në nivel global, përgatitja e buxhetit mbetet sfidë për secilin shtet. Në nivel global ekonomia do të ketë rritje të ngadalësuar, ndërsa e njejta i referohet edhe rritjes së ekonomisë në Bashkimin Evropian që pritet të jetë 3,2 për qind këtë vit, ndërsa vitin e ardhshëm 0,7 për qind. Kjo reflektohet edhe në dinamikën e rritjes së ekonomisë sonë”, tha Besimi.

Buxheti për vitin e ardhshëm, siç tha Besimi, i përmban elementet kyçe të politikës afatmesme fiskale, përkatësisht angazhimin për konsolidim gradual fiskal, mirëmbajtje të stabilitetit makroekonomik dhe përshpejtim të rritjes ekonomike.

Edhe Buxheti për vitin 2023 bazohet në rregullën e artë në ekonomi – shpenzimet kapitale të jenë më të larta se deficiti buxhetor.

Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej rreth 48,9 miliardë denarë apo për rreth 52,3 për qind më të larta në raport me planin për vitin 2022, me ç’rast për financim të investimeve është planifikuar të sigurohen mjete nga disa burime – mjete buxhetore, fondet IPA dhe kredi. Ato janë të dedikuara për intensifikim të realizimit të projekteve infrastrukturore, përkatësisht për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, energjetike dje komunale, si dhe investime kapitale për përmirësim të kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe jurisprudencë.

Shpenzimet rrjedhëse janë planifikuar në shumë prej 275,9 miliardë denarë dhe janë të dedikuara për pagesë të rregullt të rrogave të të punësuarve në sektorin publik, pagesë të rregullt të pensioneve, të ardhura të garantuara minimale dhe kompensime të tjera sociale, pagesë të subvencioneve në bujqësi, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe mesme, mbështetje dhe subvencionim të aktiviteteve inovative, si dhe mbështetje të sektorit energjetik.

“Shpenzimet për pagesë të rrogave janë projektuar në pajtim me zgjidhjet ligjore dhe paraqesin 34,9 miliardë denarë. Gjatë vitit 2023 vazhdohet me përcaktimin për optimizim të të punësuarve në sektorin publik, ndërsa me atë rast të zbatohet edhe metodologjia e re për rroga në sektorin publik”, tha Besimi.

Në afat të mesëm pritet normalizimi i lëvizjeve globale, stabilizimi i zinxhirëve global të furnizimit dhe rritje të aktivitetit ekonomik tek partnerët tanë kryesorë tregtarë. Projeksionet janë se rritja mesatare e aktivitetit vendor ekonomik në periudhën 2023-2027 do të arrijë 4,6 për qind me ç’rast prej vitit 2025 rritja do të arrijë shkallë prej 5 për qind. Deficiti buxhetor deri në vitin 2026 pritet të jetë deri 3 për qind, ndërsa në vitin 2027 nën tre për qind. Borxhi i jashtëm pritet të jetë nën 60 për qind.