Një i vrarë në trazirat në veriperëndim të Iranit
Forcat iraniane të sigurisë qëlluan mbi pjesëmarrësit në protestat e organizuara për shkak të vdekjes së Mahsa Aminit në qytetin veriperëndimor Mahabad, me ç’rast u vra një nga protestuesit, njoftoi sot grupi për të drejtat e njeriut “Hengav” me seli në Oslo.
Në video-incizimet e trazirave të mbrëmshme të publikuara sot përmes rrjeteve sociale, shihen turma njerëzish, skena trazirash dhe dyqane të djegura. Demonstruesit u përpoqën të pushtonin ndërtesat qeveritare, por pa sukses.
Nga “Hengav” theksojnë se trazirat u përshkallëzuan pas vrasjes së protestuesit 35-vjeçar Ismail Mauludi, i cili u qëllua për vdekje mbrëmë kur një grup protestuesish tentuan të hynin në zyrën e guvernatorit.
Mijëra njerëz u tubuan dje rreth varrit të Mahsa Aminit në qytetin e saj të lindjes në provincën Kurdistan, për ta nderuar 40 ditë pas vdekjes së saj.
Qindra mbështetës të qeverisë protestuan sot para Ambasadës britanike në Teheran, duke brohoritur slogane kundër redaksisë në gjuhën iraniane të Bi-Bi-Si-së, me seli në Londër dhe televizionit “Iran International”, të cilat janë futur në listën e zezë nga Irani si organizata terroriste.
Demonstruesit ishin kryesisht studentë të seminareve islamike, besnike ndaj qeverisë në Teheran.

