KB-ja ka pezulluar misionin e saj kundër torturës në Australi

KB-ja njoftoi sot se ka ndërprerë misionin e saj kundër torturës në Australi për shkak se inspektorët e saj u penguan të vizitonin disa burgje dhe qendra paraburgimi.

Inspektorët e KB-së, të cilët erdhën në Australi për të vizituar burgjet sipas marrëveshjes për të parandaluar torturimin e të burgosurve, thanë se kishin marrë “vendimin drastik” për t’i dhënë fund misionit sepse atyre iu ishte mohuar qasja në disa burgje dhe informacione.

Kryeinspektori Ajsha Muhamed, gjyqtar në Gjykatën e Lartë të Maldiveve, tha se Australia kishte “shkelur në mënyrë flagrante” detyrimet e saj ndërkombëtare.

“Megjithë përpjekjet tona të shumta për të shpjeguar misionin tonë parandalues, ai nuk u kuptua qartë” në Australi, tha ajo.

Në vitin 2017, Australia ratifikoi Protokollin e Konventës së KB-së kundër torturës, duke u angazhuar për reformat që mbrojnë të burgosurit dhe aksesin në burgje për inspektime.

“Ai vend kishte gati pesë vjet për t’u përgatitur për vizitën. Australia tani do të duhet të përgjigjet për anulimin e saj të turpshëm përpara Komitetit të KB-së kundër Torturës,” tha inspektori.

Australia ka refuzuar aksesin tek inspektorët e KB-së për shkak të mosmarrëveshjeve midis qeverisë federale dhe shteteve australiane përgjegjëse për zbatimin e Konventës së KB-së.

Burgjet australiane dhe qendrat e paraburgimit vihen rregullisht nën kritika për abuzime të të drejtave të njeriut, veçanërisht kundër komunitetit aborigjen.