Fumio Kishida: Përdorimi rus i armëve bërthamore do të ishte akt i armiqësisë ndaj njerëzimit

Përdorimi rus i armëve bërthamore do të përbënte “akt armiqësie kundër njerëzimit”, paralajmëroi sot kryeministri japonez Fumio Kishida gjatë vizitës së tij në Australi.

Frikësimi rus për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore “paraqet kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe është plotësisht i papranueshëm”, tha Kishida, lideri i vendit të vetëm në botë që është goditur nga një bombë atomike, në verë të vitit 1945.

Në maj të vitit 2023, Kishida është planifikuar të presë liderët e G7 në Hiroshima, e cila u godit nga një bombë bërthamore amerikane më 6 gusht të vitit 1945, duke vrarë 140.000 njerëz. Tre ditë më vonë, u sulmua gjithashtu edhe qyteti japonez Nagasaki.

Për kryeministrin japonez, ajo periudhë prej 77 vitesh pa përdorur armë bërthamore “nuk duhet të përfundojë kurrë”.

“Nëse armët bërthamore do të përdoreshin një ditë, do të ishte një akt armiqësie kundër njerëzimit … bashkësia ndërkombëtare nuk do ta falte kurrë një akt të tillë”, tha ai, duke e përshkruar qëndrimin kërcënues të presidentit rus Vladimir Putin si “thellësisht shqetësues”.