Xhaferi kërkon nga deputetët të jenë objektiv në raportet revizore, pavarësisht nëse janë në pushtet apo opozitë

Shkup, 21 tetor – Pavarësisht se cilat parti janë në pushtet, e cilat në opozitë, qasja në trajtimin e raporteve revizore gjithnjë duhet të jetë objektive, transparente dhe me nivel të lartë të profesionalizimit në lexim, mirëkuptim dhe vendosje nga ana e deputetëve, porositi sot kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Para nënshkrimit të Memorandumit për Bashkëpunim mes Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR) dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në ngjarjen përmbyllëse nga projekti tuining “Përmirësimi i revizionit të jashtëm dhe mbikëqyrjes parlamentare”, Xhaferi theksoi se gjatë shqyrtimit të raporteve të revizionit duhet të ekzistojë nivel i lartë i unitetit mes opsioneve të ndryshme politike, të jetë objektiv dhe irrelevant i cili është bartës i pushtetit ekzekutiv ose cilës partie politike i takon ndonjë funksionar i zgjedhur.

“Vendosja e marrëdhënieve profesionalisht të qëndrueshme dhe efikase me ESHR-në për mbikëqyrje edhe më të mirë të shpenzimit të fondeve publike dhe llogaridhënie më të madhe të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit, është qëllimi i Memorandumit. Avancimi i bashkëpunimit tonë do të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të parasë së shtetit, por edhe do të sigurojë transparencë në shpenzimin e saj. Mbikëqyrja do të jetë më transparente nëse ka një praktikë dhe mekanizëm të ndërtuar për dorëzimin e raporteve përfundimtare, grupimin e tyre sipas temave, njohjen e deputetëve me to dhe shqyrtimin e raporteve përfundimtare të revizionit në Kuvend”, tha Xhaferi.

Kryerevizori i Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR) të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski tha se Memorandumi parasheh dorëzimin e të dhënave në pjesën e raporteve përfundimtare të revizionit, si dhe mbështetje të punës së shërbimeve profesionale kuvendore në pjesën e raporteve të dorëzuara revizore.

“Me Memorandumin është përcaktuar edhe detyrimi që ESHR të përgatisë udhëzues për rolin e ESHR dhe Kuvendit në pjesën e përmirësimit të mënyrës së menaxhimit me mjetet publike në vend”, theksoi Acevski.

Shefi i delegacionit të BE-së në vend, Dejvid Gir, në fjalimin e tij në këtë ngjarje para nënshkrimit të Memorandumit, porositi se përmirësimi i punës së ESHR do të nënkuptojë llogaridhënie më të madhe dhe efikasitet në çdo segment të administratës shtetërore, që, do të ketë, siç theksoi, rezultat pozitiv në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Reforma në menaxhimin e financave publike dhe forcimi i funksioneve të revizionit të jashtëm janë elementë kyç në përgatitjen e vendit për anëtarësim në BE. Tani, me procesin e vetingut në vend, është koha për të menduar se si të ecim përpara me këtë reformë. Kjo vlen për çdo zonë. ju lutem përfitoni nga mundësia që ju është dhënë për të ecur përpara me reformat. Standardet dhe parimet janë vendosur, procesi i inspektimit dhe negociatave është një mundësi e madhe për të ecur përpara, në interes të të gjithëve”, potencoi Gir.

Duke folur për projektin, ai theksoi se qëllimi nuk është vetëm që të përmirësohet korniza ligjore dhe kapaciteti institucional i ESHR, por edhe që të përmirësohet mbikëqyrja parlamentare ndaj mjeteve publike dhe bashkëpunimi mes dy institucioneve – ESHR dhe Kuvendit.

“BE-ja mirëpret nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet ESHR-së dhe Kuvendit. Ne presim që kjo të rezultojë në ndjekje më të mirë të rekomandimeve në raportet e revizionit dhe llogaridhënie më të mirë të subjekteve të revizionit. Shpresojmë gjithashtu që së shpejti të miratohet ligji i ri për revizion shtetëror, i zhvilluar me mbështetjen e këtij projekti dhe të ndihmojë në rritjen e pavarësisë së ESHR-së, si dhe të përmirësojë bashkëpunimin me Parlamentin”, theksoi Gir, duke shtuar se sfidat mbeten edhe më tutje siç është njohja kushtetuese e ESHR-së si organ i pavarur, forcimi i kapaciteteve të saj dhe përmirësimi i llogaridhënies së subjekteve të revizionit në ndjekjen e rekomandimeve.

Projekti Tuining IPA 2018 i financuar nga BE-ja “Përmirësimi i revizionit të jashtëm dhe mbikëqyrja parlamentare” u zbatua në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Revizionit të Republikës së Kroacisë dhe Entin Kombëtar të Rrvizionit të Republikës së Bullgarisë. Kryetari i Entit Kombëtare të Revizionit të Republikës së Bullgarisë, Cvetan Cvetkov, vlerësoi se është arritur zhvillim dhe përparim i qëndrueshëm. Ai iu referua katër komponentëve të projektit: pavarësia, kapaciteti institucional, qeverisja e mirë dhe transparenca. Sipas zëvendëskryerevizorit të Entit Shtetëror për Reviziontë Republikës së Kroacisë, Nedilka Rogoshiq, aktivitetet e planifikuara të projektit u kryen me kohë dhe me cilësi të lartë dhe në masë të madhe u arritën rezultatet e pritura.

Buxheti i projektit, që filloi më 1 shkurt të vitit 2021 dhe përfundon më 31 tetor 2022, është 1,5 milionë euro. Gjatë aktiviteteve të projektit ishin organizuar trajnime të ndryshme/punëtori për më shumë se 90 pjesëmarrës/revizorë të ESHR-së. Në punë të përbashkët me kolegët e vendeve anëtare, revizorët e ESHR kanë kryer 15 pilot revizione në shtatë sfera të revizionit. Gjithashtu, 47 revizorë të ESHR kanë marrë pjesë në praktikë në vendet anëtare të BE-së, ndërsa ishin organizuar shtatë vizita të suksesshme studimore të institucioneve partnere të BE-së. Në përgjithësi, ishin zbatuar 43 aktivitete përgjatë 145 misioneve të kryera me pjesëmarrje të më shumë se 40 ekspertëve afatshkurtër nga Kroacia, Bullgaria, Estonia dhe Spanja