Autobusët e NQP Shkup prej nesër do të parkohen para Qeverisë, qytetarët duhet të ecin në këmbë
Shkup, 18 tetor – Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, njofton se autobusët e NQP-së, siç thotë ajo, do të qarkullojnë deri në momentin që do të munden, ndërsa një pjesë e automjeteve nesër do të jenë para Qeverisë dhe institucioneve tjera deri në shlyerjen e borxheve ndaj kësaj ndërmarrje publike.
Arsovska nuk sheh përgjegjësi në Qytetin e Shkupit, dhe urdhëron që të shlyhen borxhet ndaj NQP-së.
E pyetur nëse nesër do të ketë transport urban nëse Qeveria deri në orën 12 nuk e shlyen borxhin prej dy milionë eurosh ndaj NQP-së, Arsovska tha se autobusët do të qarkullojnë deri në atë moment sa të munden.
“Autobusët e NQP-së do të lëvizin deri në atë moment për aq kohë sa të munden. Dhe ne, që është shërbimi ynë, do të mundohemi në vazhdimësi t’ua dorëzojmë qytetarëve deri në momentin e fundit. Autobusët që nuk do të qarkullojnë do të qëndrojnë para Qeverisë dhe do t’i vendosim para të gjitha institucioneve derisa të përmbushin detyrimet e tyre, sepse askush nuk mund të na ndjekë dhe të kërkojë përgjegjësi nga ne, për diçka që e problematizon dhe e saboton dikush tjetër. Nuk do të lejojmë që të ndodhë”, tha Arsovska.
Borxhi prej 2 milionë eurosh (120 milionë denarë), theksoi ajo, është borxh i rëndë. E pyetur se kur është afati i fundit se kur do të paguhet paga e punonjësve të NQP-së, kryetarja e Qytetit të Shkupit tha se kjo do të ndodhë në momentin kur institucionet do të shlyejnë borxhet.
Paraprakisht, sekretari i Qytetit të Shkupit, Zoran Gligorov, ka njoftuar se Qeveria, përkatësisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i ka borxh NQP-së “Shkup” prej 120 milionë denarë ose rreth dy milionë euro për transportin falas të nxënësve dhe studentëve. Gjithashtu, siç tha ai, disa komuna të Shkupit kompanisë i kanë borxh rreth 40 milionë denarë.
Kryesia e sindikatave përfaqësuese të NQP-së dje pas marrjes së premtimit për pagesën e pagave të mbetura vendosën që punëtorët të mos ndërpresin punën, por paralajmëruan se do të mbajnë grevë nëse nuk realizohet premtimi.
Sa i përket transportit publik falas për të gjithë qytetarët, ajo tha se kjo do të ndodhë në gjysmën e dytë të vitit 2023.
Megjithatë, siç tha ajo, të gjitha institucionet duhet t’i respektojnë obligimet dhe t’i paguajnë borxhet.
“Problemi është me të gjithë ata në këtë vend që nuk respektojnë detyrimet e tyre. Megjithatë, me pengesa nga të gjitha institucionet e shtetit, të cilët e “hëngrën” këtë vend, ne nuk mund të ndërtojmë as një qytet më të mirë, as një shtet më të mirë. Secili duhet të mbajë detyrimin dhe përgjegjësinë e tij, dhe kjo do të thotë që nëse dikush ka më shumë se dy milionë euro borxh, nuk duhet të pyesë se si do të ketë transport publik falas, por duhet të paguajë detyrimet e tij. E njëjta gjë vlen edhe për njësitë e qeverisjes qendrore dhe vendore që nuk përmbushin detyrimet e tyre”, deklaroi Arsovska.

