Mihajlloviq: Nevojitet tubacion i naftës deri në Shkup me dy degë, Selanik dhe Durrës
Beograd, 12 tetor – Zëvendëskryeministrja serbe dhe ministre e Minierave dhe Energjetikës, Zorana Mihajlloviq sot deklaroi se Serbia duhet ta definojë qartë pozicionin e saj në hartën e re gjeopolitike dhe ta gjejë vendin e saj në 100 vitet e ardhshme, informoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.
“Mendoj se ne si shtet definitivisht duhet të vendosim dhe qartë ta definojmë qëndrimin tonë, sepse këto janë çështje të cilat e tejkalojnë sjelljen normale. Ne jemi në prag të një lufte botërore në shekullin 21, kur të gjithë duhet të luftojmë për kushte më të mira për jetë”, deklaroi Mihajlloviq për TV Përva.
Sipas saj, Rusia po bën luftë pushtuese, e jo çlirimtare, ndërsa presidenti rus po e sjell gjithë botën, çdo qytetar, çdo fëmijë një hap afër vuajtjes.
“Në një situatë të tillë duhet të kemi qëndrim të qartë dhe ta gjejmë vendin në 100 vitet e ardhshme. Bota po ndryshon, situata gjeopolitike është e ndryshme, ndërsa ne duhet të shohim në të ardhmen dhe ta kërkojmë vendin”, tha Mihajlloviq.
Ajo shtoi edhe se e gjithë bota është në luftë botërore energjetike dhe se edhe krahas krizës Serbia po bën çmos që të sigurojë sasi të mjaftueshme të lëndëve djegëse për biznesin dhe amvisëritë.
“Ajo që po ndodh me tubacionin e naftës ‘Druzhba’, i cili është tubacioni më i gjatë në botë, rreth 4 mijë kilometra dhe nëpër të cilin kalon vetëm nafta ruse, duket si vazhdimësi e asaj që ndodhi me gazsjellësin Rrjedha Veriore. Sepse në fillim u mendua se ishte mirëmbajtje, pastaj u tha se kishte një mosfunksionim, por doli që nuk ishte ashtu, por ishte sabotim”, tha zëvendëskryeministrja serbe.
Ajo përsëriti se nuk ka rrezik nga mungesa e derivateve të naftës në tregun serb dhe se pakoja e re e sanksioneve të BE-së me të cilën ndalohet importi i naftës ruse të papërpunuar nuk do të ndikojë në stabilitetin e furnizimit.
Mihajlloviq vlerësoi se ndërtimi i tubacionit të naftës deri në Hungari dhe deri në Shqipëri dhe Greqi, përmes Maqedonisë së Veriut, do të nënkuptojë se Serbia bëhet rrugë transiti.
“Ne kemi Janaf, ne marrim naftë përmes atij tubacioni, por është e rëndësishme të mendojmë strategjikisht. Një tubacion nafte nga Pançeva në Nish, Shkup dhe dy degë – në Selanik dhe Durrës, dhe nga ana tjetër, ndërtimi i një tubacioni nafte nga Pançeva në Hungari do të nënkuptonte që Serbia të bëhet një rrugë tranziti. Fjala është për investime prej 500 deri në 700 milionë euro, por kjo është e zakonshme për projekte kaq të mëdha që janë të rëndësishme jo vetëm për Serbinë dhe rajonin, por edhe për rajonin më të gjerë”, thuhet në kumtesën për media të zëvendëskryeministres Mihajlloviq.
Ajo shtoi se kur bëhet fjalë për Rrjedhën turke përmes të cilës Serbia merr gaz, është me rëndësi se shteti ka reaguar, nëse ka paralajmërime, të gjitha institucionet kompetente të cilat merrem me atë të kujdesen që ajo që kalon përgjatë Serbisë të mbrohet.

