Vasalo: Nëse opozita dëshiron ta shohë vendin në BE, duhet të marë përgjegjësitë e saja
Shkup, 4 tetor – Zëvendësambasadori i Delegacionit të BE-së në vend, Xhulian Vasalo, në konferencën e sotme për shtyp tha se nuk do të spekulojë me data për atë se kur vendi do të bëhet pjesë e BE-së dhe kjo sipas tij, do të varet nga shkalla e reformave, gatishmëria e kapaciteteve, por thotë se viti 2030 mund të jetë realitet që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e Unionit, nëse ka vullnet politik në vend.
Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, ai tha se opozita do të duhet të marrë përgjegjësinë në një moment, nëse do që vendi të vazhdojë rrugën e tij.
Ai tha se ndryshimi i Kushtetutës është vendim sovran i këtij vendi dhe se Maqedonia e Veriut ka marrë përsipër obligim ndaj Bullgarisë që të përfshijë bullgarët së bashku me komunitetet e tjera në Kushtetutë.
Vasalo vlerëson se vendi tashmë ka një histori të mirë për t’u kujdesur për komunitetet e tjera dhe sipas tij, efekti juridik i ndryshimit të Kushtetutës do të jetë i kufizuar, sepse, siç tha ai, tashmë vendi po bën një punë të mirë në këtë fushë. .
Ai tha se Delegacioni i BE-së dhe ai është në kontakt të vazhdueshëm me opozitën.
Vasalo theksoi se partia kryesore opozitare vazhdon të mbështesë drejtimin e këtij vendi dhe në një moment i takon të marrin përgjegjësinë për qëndrimet dhe veprimet e tyre nëse duan ta shohin vendin të vazhdojë në rrugën e tij.
Vasalo sot në konferencë për shtyp e prezantoi procesin e shqyrtimit për përputhjen e vendit me legjislacionin e BE-së.

