Tupançeski e informoi zëvendës shefin e delegacionit të BE-së Vasallo për procesin e skriningut
Shkup, 30 shtator – Procesi eurointegrues dhe zhvillimi i skriningut ishin tema e bisedës në takimin e sotëm të ministrit të Drejtësisë, Nikolla Tupançeski dhe zëvendës shefit të delegacionit të BE-së, Xhulian Vasallo.
“Tupançeski e informoi Vasallon për aktivitetet e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë në fushën e reformave në drejtësi dhe agjendën legjislative. Kapitulli 23 “Gjyqësia dhe të drejtat themelore” është kyç në procesin e negociatave. Vendi ynë mbetet maksimalisht i përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve për të mundësuar progres, shtet ligjor, institucione funksionale”, informojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Tupançeski në takim tha se do të ishte mirë që në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë të formohet një grup i posaçëm i cili do të jetë i fokusuar në procesin e negociatave.
Zëvendës shefi i delegacionit të BE-së u njoftua me përgatitjen e strategjisë së re për sektorin e drejtësisë me Planin e Veprimit 2023-2027, si dhe me agjendën legjislative. Gjithashtu, atij iu theksua se në procedurë kuvendore janë Ligjet për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, për avokaturë, për procedurë juridike, për ndryshimet në Kodin Penal. Në fazën e përgatitjes janë Kodi Penal, si dhe ligjet për procedurën penale, për faljen, për amnistinë, për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, për ekspertizën. Gjatë vitit do të vijojnë zgjedhjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat do të forcojnë kapacitetet.
Shefi i delegacionit të BE-së, Xhulian Vasallo, theksoi në takim se mbështetja në procesin e integrimeve evropiane do të vazhdojë dhe bashkëpunimi do të intensifikohet në periudhën e ardhshme.

