Fishkëllimat në “Todor Proeski” i zgjuan nga gjumi politikanët bullgarë, reagime të ashpra nga Sofja
Shkup, 27 shtator – Fishkëllimat për himnin kombëtar bullgar në ndeshjen e mbrëmshme ndërmjet ekipeve të futbollit të Maqedonisë dhe Bullgarisë (0-1) në Shkup nuk kaluan pa u vënë re tek politikanët bullgarë të cilët shprehën pakënaqësinë për këtë gjest të publikut në arenën “Todor Proeski”, duke u gëzuar në të njëjtën kohë për fitoren e kombëtares bullgare. Para fillimit të ndeshjes në Ligën e Kombeve, tifozët maqedonas e kanë shoqëruar me fishkëllima këndimin e himnit të Bullgarisë, ndërsa mysafirët kanë pasur mbështetjen e rreth pesëdhjetë tifozëve.
Liderët e partive bullgare Ka një popull të tillë dhe GERB, Slavi Trifonov dhe Bojko Borisov, kanë shprehur reagimet e tyre në rrjetet sociale, të cilët kanë përfshirë edhe integrimin evropian të Maqedonisë, si dhe përballjet me rivalët në skenën politike bullgare. Trifonov është i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj Maqedonisë, nga të cilat së fundmi janë distancuar tre partnerë të koalicionit të partisë së tij. Ai i interpretoi fishkëllimat në mënyrë sarkastike, duke thënë se ato ishin “falënderime” nga maqedonasit për partitë bullgare për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, transmeton Zhurnal.
- Ulem dhe shikoj ndeshjen Bullgari – Maqedoni e Veriut, por ngul sytë bosh në televizor, sepse në vesh më bien fishkëllimat e himnit kombëtar bullgar dhe britmat, të cilat pavarësisht të shtënave, dëgjoheshin shumë qartë: bullgarë – tatarë, bullgarë “ciganë” dhe “bugarski shupaci’. Këto janë thirrjet e mirënjohjes me të cilat maqedonasit mirënjohës falënderojnë “Vazhdojmë me ndryshimet”, GERB-in, DPS-në, Bullgarinë Demokratike dhe BSP-në neutrale, që i lanë të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Supozoj se Kiril Petkov, Asen Vasilev, Bojko Borisov, Mustafa Karadayi, Hristo Ivanov dhe neutralja Kornelia Ninova dëgjojnë fishkëllimat, por edhe britmat, sepse janë për ta. Sepse ata injoruan urrejtjen e maqedonasve dhe gjendjen e trishtuar të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut. Unë jam i sigurt se ata dëgjojnë falënderimet. Hop, shënoi Despotov. Shkëlqyeshëm. Me gjithë thjeshtësinë, nuk ka përgjigje më të mirë se fitorja”, ka shkruar Slavi Trifonov.
Ish-kryeministri bullgar dhe nënshkrues i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, Bojko Borisov, tha se maqedonasit nuk i kuptojnë vlerat evropiane.
– Respekt për djemtë e skuadrës bullgare të futbollit! Kështu mbrohet dinjiteti i kombit tonë! Si bullgar dhe tifoz futbolli, dënoj kategorikisht fyerjen e himnit bullgar në fillim të ndeshjes Bullgari – RMV, fatkeqësisht me veprime të ngjashme fqinjët tanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut nuk tregojnë se i kuptojnë vlerat evropiane. Përpara të rinjtë bullgarë – shkruan Borisov.
Ndërsa për qëndrimin ndaj himnit bullgar në ndeshjen e Shkupit e ka shprehur edhe eurodeputeti nga VMRO-PDP, Angel Xhambasski, i cili vazhdimisht dërgon provokime në Maqedoni, shkruan Zhurnal.
- Përdhosje e shëmtuar dhe e ndyrë e himnit kombëtar bullgar nga tifozët e kombëtares së Maqedonisë së Veriut. Nuk ka dyshim se zëvendësimi, gënjeshtra dhe iluzioni në të cilin jetojnë këta “tifozë” bazohet në urrejtjen ndaj Bullgarisë. Luanëve bullgarë ju uroj fitoren, dhe ta mposhtim gënjeshtrën e maqedonizmit – ka shkruar Xhambaski në Facebook pas intonimit të himneve.
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë dënoi, siç thuhet në një komunikatë, shprehjen e djeshme të gjuhës së urrejtjes që mund të vëreheshte gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet përfaqësuesve të Maqedonisë dhe Bullgarisë.
“Keqpërdorimi i këtyre ngjarjeve për përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës paraqesin kundërthënie thelbësore të idesë së tyre bazë.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria edhe në të të ardhmen do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive në avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella, si vende aleate në NATO, partnerë të ardhshëm në Bashkimin Evropian dhe mbi të gjitha, fqinjë të mirë”, thonë nga MPJ.
Duhet të theksohet edhe se Federata e Futbollit të Maqedonisë në rpag të ndeshjes me Bullgarinë ka apeluar deri te tifozët e Maqedonisë për qetësi dhe të përmbahen nga tifozllëku josportiv dhe të tregojnë respekt ndaj kundërshtarit./Zhurnal.mk

