Vullnetarë të Korpusit të paqes sërish në Maqedoninë e Veriut
Shkup, 26 shtator – Në Maqedoninë e Veriut sot ka arritur grup i ri i amerikanëve për të shërbyer si vullnetarë në Korpusin e paqes. Ata do ta ndajnë njohurinë dhe përvojën e tyre duke u bërë vullnetarë në shkolla dhe organizata në vend.
“Ky është grupi i parë i vullnetarëve të cilët kanë arritur në Maqedoninë e Veriut pas tre viteve, pasi u evakuuan në mars të vitit 2020 për shkak të pandemisë globale. Vullnetarët do të jenë sërish pjesë e programeve të mësimit të gjuhës angleze dhe zhvillimit të komunitetit, si vitet e kaluara. I urojmë punë shumë të suksesshme”, deklaroi Debora Koner, drejtoreshë e Korpusit të paqes në Maqedoninë e Veriut, e cila i priti vullnetarët në aeroportin në Shkup.
Gjatë qëndrimit dyvjeçar në Maqedoninë e Veriut, ata do të punojnë si mësimdhënës të gjuhës angleze në shkolla, si dhe në fushën e zhvillimit të komunitetit në organizata joqeveritare.
Ky është grupi i 25-të i vullnetarëve të cilët do të jetojnë dhe punojnë në qytete dhe fshatra anembanë Maqedonisë së Veriut. Vullnetarët do të mësojnë gjuhët vendase dhe do të njohin kulturën maqedonase, ndërsa shërbimin e tyre në vend do ta fillojnë në dhjetor të vitit 2022.
Korpusi i paqes është organizatë qeveritare amerikane dhe i realizon programet e veta në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Vetëqeverisjes lokale dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
Më shumë se 800 shtetas amerikanë kanë shërbyer në Maqedoninë e Veriut që nga viti 1996.

