Taravari: Kongresi i Aleancës për shqiptarët i caktuar për më 17 dhjetor

Shkup, 17 shtator – Kryetari i ri u.d. i Aleancës për shqiptarët, Arben Taravari sot pas Kuvendit qendror të partisë deklaroi se është sjellë vendim, më 17 dhjetor të këtij viti të mbahet kongresi i jashtëzakonshëm i partisë.

“Sot patëm kuvendin e dytë të Aleancës për shqiptarët, ku u konstatua dorëheqja e parevokueshme e Ziadin Selës. Shumica e anëtarëve në kongres ma dhanë mbështetjen në Kuvendin qendror. Sollëm vendim më 17 dhjetor të këtij viti të mbahet kongresi i jashtëzakonshëm i partisë”, tha Taravari.

Ai shpreson se Aleanca për shqiptarët do të vazhdojë të jetë shpresë për shumicën e shqiptarëve në shtet, në mënyrë që t’i sjellin ndryshimet në bllokun shqiptar.

Në pyetjen nëse do të parashtrojë kandidaturë për kryetar të partisë, Taravari u përgjigj se ende nuk ka sjellë vendim definitiv ndërsa tani do të jetë vetëm ushtrues detyre. Ai theksoi se kandidatura mund të parashtrojnë të gjithë anëtarët e interesuar të partisë, dy javë deri në mbajtjen e kongresit të jashtëzakonshëm.