Matarella para deputetëve: Italia gjithmonë do të përkrahë Maqedoninë e Veriut drejt BE-së

Shkup, 9 shtator – Italia gjithmonë ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të fortë për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Evropës. Krijimi i kushteve për fillimin e fundit të negociatave me Brukselin është një sukses, për të cilin duhet të jeni me të drejtë krenarë, në pritje të arritjes së qëllimit përfundimtar të anëtarësimit të plotë në BE, siç ndodhi me vendimin tuaj për t’u anëtarësuar në NATO, tha në fjalimin e tij të sotëm në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, presidenti i Republikës së Italisë, Serxho Matarella.

Sipas tij, vendi i Maqedonisë së Veriut është në Evropë për shkak të vlerave, historisë dhe kulturës.

Në fjalën e tij, ai theksoi se miqësia mes Italisë dhe vendit tonë ka rrënjë të thella, e nxitur nga një simpati spontane dhe një ndjenjë mirëkuptimi të ndërsjellë, e cila nuk ka pushuar kurrë.

“Pas luftës së Dytë Botërore, pavarësisht kufizimeve të vendosura nga rendi i atëhershëm gjeopolitik , Italia ka vazhduar ta vlerësojë popullin tuaj me respekt të pashuar dhe interes të vazhdueshëm. Dëshmi për këtë është impulsi i fortë i solidaritetit, i cili pas tërmetit të tmerrshëm që goditi Shkupin në vitin 1963, inkurajoi mbi 200 artistë italianë të dhurojnë mbi 300 vepra të tyre, të cilat tani mbahen në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup”, tha presidenti italian.

Me 31-vjetorin e Pavarësisë që vendi festoi dje, Matarella theksoi se janë hapur mundësi shtesë për zhvillimin e marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve në të gjitha fushat, e mes tyre edhe ato jo më pak të rëndësishme në bashkëpunimin kulturor.

“Italia është krenare për faktin se në Universitetin ‘Shën. Kirili dhe Metodi’ në Shkup, gjuha italiane mësohet për më shumë se 60 vjet, dhe se aktualisht shumë nxënës në vendin e juaj nga shkollat ​​fillore dhe të mesme kanë zgjedhur të mësojnë gjuhën italiane, që është shenjë e dinamizmit dhe modernizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve. Bëhet fjalë për një ndjenjë të sinqertë miqësie”, shtoi Matarella.