Japonia militarizon ishujt pas rritjes së tensioneve në Tajvan

Japonia po merr masat për një konflikt të mundshëm mes Tajvanit dhe Kinës. Ndërsa analistët ndërkombëtarë thonë se ky konflikt mund të ndodhë brenda kësaj dekade, japonezët kanë nisur përgatitjet duke militarizuar ishujt e tyre që janë rreth 100 kilometër nga Tajvani.

Japonia sheh një krizë të mundshme në të ardhmen në Tajvan  dhe ka vendosur që të marrë masa që tani për të militarizuar disa prej ishujve të saj.

Kina ka shprehur që në krye të herës politikën e saj se Tajvani është pjesë e Kinës. Një politikë e këtillë kundërshtohet nga vendi ishullor dhe amerikanët.

Nuk kanë munguar as tensionet mes superfuqive në këtë rast, amerikanëve dhe kinezëve.

Këtë javë, ministria e Mbrojtjes e Japonisë shkroi se po planifikon të forcojë mbrojtjen në ishujt e saj të largët në Detin e Kinës Lindore. Kjo lëvizje zyrtare e Japonisë, sipas analistëve do të tensionojë situatën sepse ka të ngjarë të shqetësojë Kinën.

Ministria japoneze e Mbrojtjes njofton se do të zgjerojë objektet e magazinimit të karburantit dhe municionit në zinxhirin e disa ishujve që shtrihen 110 kilometra nga Tajvani.

Lëvizja e municioneve në jugperëndim, sipas ushtarakëve japonezë, do të përmirësonte aftësitë parandaluese të Japonisë. Objektet portuale dhe depot e karburantit do të ngrihen në Okinawa dhe vende të tjera për të mbështetur gjithashtu edhe forcat amerikane që do t’i përgjigjeshin një konflikti në Tajvan.

Deri në mars të vitit 2023, Japonia pritet të krijojë një garnizon ushtarak të pajisur me raketa kundër anijeve dhe raketa tokë-ajër në njërin prej ishujve.