Kyuchyuk me urim për Ditën e Pavarësisë
Shkup, 8 shtator – Unë besoj fuqishëm në suksesin e Maqedonisë së Veriut dhe e di se uniteti dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë çelësi i së ardhmes sonë të përbashkët në Evropë, tha lideri i Liberalëve Evropianë, eurodeputeti dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin, Ilhan Kyuchyuk në urimin e tij me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, 8 Shtatori.
“Në tre dekadat e fundit, Maqedonia e Veriut ka bërë një rrugë të gjatë dhe ju duhet të jeni krenarë për atë që ka arritur në aspektin e demokracisë, lirisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, theksoi Kyuchyuk.
Ai shtoi se sot, 31 vjet më vonë, e sheh Maqedoninë e Veriut si pjesë përbërëse të familjes euroatlantike dhe angazhimet e fundit për të mbështetur Ukrainën vetëm e vërtetojnë këtë fakt, veçanërisht kur shfaqet destabilizimi i rendit botëror.
“Ju jeni një anëtare e vlefshme e NATO-s dhe me meritë keni filluar negociatat për anëtarësim në BE. Ky është një sukses i madh, jini krenarë për arritjet tuaja dhe vazhdoni të përpiqeni për të reja. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”. theksoi Kyuchyuk.

