Vendi në udhëkryq? Ndryshimet kushtetuese ose zgjedhje të parakohshme!
Shkup, 6 shtator – Nevoja për ndryshime kushtetuese nuk është për shkak të nevojës së shumicës parlamentare, por është nevoja e shtetit që të mund të ndërmarrë dhe të ndjekë rrugën e përcaktuar para tre dekadash, thotë kryeparlamentari. Talat Xhaferi. “Dhe në këtë kontekst, mendoj se të gjithë duhet të reflektojnë në interesin e shtetit dhe të qytetarëve dhe në kuptimin e interesit të partive politike dhe në kuptimin e politikës ditore, një luftë për pushtet për të ndërrohet Qeveria, por cilado të vijë në pushtet do të duhet të shkojë në atë rrugë”, thotë Xhaferi. Konferenca e parë ndërqeveritare e BE-së dhe Maqedonisë u mbajt më 19 korrik dhe menjëherë pas saj filloi skriningu, i cili është paraparë të zgjasë një vit e gjysmë. Pas përfundimit të saj, duhet të mbahet Konferenca e dytë Ndërqeveritare në të cilën duhet të përfundojë faza e hapjes së negociatave, por mbajtja e saj kushtëzohet me miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
VMRO-DPMNE kundërshton ndryshimet kushtetuese dhe njoftoi se nuk do t’i votojë, ndërsa Kushtetuta nuk mund të ndryshohet me shumicë të thjeshtë, gjegjësisht duhen vota nga deputetët e partisë opozitare. “Nuk bëj kalkulime nëse dikush do të mund të sillet në një mënyrë apo tjetër në raport me atë që është përgjithësisht e mirë për shtetin dhe për qytetarët”, shton Xhaferi i pyetur nëse pret që deputetët e VMRO-DPMNE-së të votojnë për ndryshimet kushtetuese.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, muajin e kaluar kërkoi nga Qeveria që ndryshimet kushtetuese të futen në procedurë parlamentare pas pushimeve. Ai përsëriti se asnjë deputet nga partia opozitare nuk do të votojë për ndryshimet kushtetuese dhe nëse kjo ndodh, ai do të largohet përgjithmonë nga politika. “Nëse nuk janë 80 deputetë, atëherë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Mickoski.
Analisti politik Dame Çkatroski shprehet se shteti për momentin nuk është në gjendje të mirë politike dhe ekonomike të mbajë zgjedhje të hershme parlamentare. “Ne nuk jemi në gjendje të mirë politike dhe ekonomike të mbajmë zgjedhje të shpejta. Këto zgjedhje do të ishin të mundura në pranverë të vitit të ardhshëm apo në vjeshtë të 2023. Këto dy periudha janë të mundura për zgjedhje të hershme. Lidhur me ndonjë qeveri teknike apo eksperte, kjo do të ishte e mundur me vullnet të mirë të partive parlamentare. Ne nuk kemi mënyra dhe procedura të zgjedhim ndonjë qeveri jopartiake. Në këtë moment pa marrëveshje mes LSDM, BDI dhe VMRO-DPMNE-së, ne nuk jemi në mundësi të zgjedhim asi qeverie”, ka deklaruar për KOHA, Dame Çkatroski, analist.
Nënkryetarja e LSDM-së, Sonja Lukarevska, thotë se është optimiste për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. “Mendoj se në këtë shumicë parlamentare, sepse çdo deputet përfaqëson qytetarët dhe votuesit e tyre dhe tek ai shohin të ardhmen, shohin projekte, shohin tek ai një standard për këtë vend, ndaj mendoj se ka shumë forca progresive që duan të ecin përpara dhe prandaj jam optimist se ndryshimet kushtetuese mund të kalohen”, tha Llukarevska. Vetëm presidenti Stevo Pendarovski shprehu skepticizëm dhe deklaroi se qëndrimi i opozitës është imponuar nga logjika e brendshme partiake. “Nuk mund të detyrosh askënd (të votojë) nëse opozita aktuale mendon se këto dokumente janë rrezik për popullin maqedonas. Unë nuk mendoj kështu. Vlerësimi im është se do të jetë shumë e vështirë të arrihen 2/3 në këtë përbërje parlamentare, sepse, me sa mund të gjykoj unë, opozita në Kuvendin e Maqedonisë e lexon marrëveshjen me Bullgarinë, gjegjësisht kornizën negociuese me Bashkimin Evropian, përmes dioptrisë partiake”,tha Pendarovski.
Nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, siç tha ambasadori i BE-së në Shkup David Geer, procesi i negociatave do të ndalet. Ndryshimet kushtetuese u vendosën si kusht pas nënshkrimit të Protokollit bilateral të vendit me Bullgarinë për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë për integrimin evropian.

