Mariçiq-Drobnjak: Negociatat janë të hapura, fillon një proces i cili kërkon aktivitet dhe përgjegjësi

Shkup, 6 shtator – Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, së bashku me ekspertin Vlladimir Drobnjak, ish-negociues kroat, sot i mbajtën dy takime koordinuese me ministrat e angazhuar për resorët dhe Komisionin punues për eurointegrime, me sekretarët shtetërorë të institucioneve.

Siç informoi Kabineti i zëvendëskryeministrit, Mariçiqi në takim theksoi se përvoja dhe njohuritë që i ka ish-negociuesi kroat Drobnjak do të jenë të dobishme dhe do të na ndihmojnë që më lehtë t’i tejkalojmë sfidat me të cilat do të përballemi gjatë negociatave.

“Për çdo vend marrja e datës për fillimin e negociatave me BE-në është sfidë politike e madhe, por puna dhe detyrat fillojnë pas hapjes së negociatave”, tha Drobnjak, duke shtuar se është e pamundur të vlerësohet se sa do të zgjasë procesi negociues për Maqedoninë e Veriut.

Zëvendëskryeministri Mariçiq theksoi se jemi duke e filluar një proces të ndërlikuar ndryshimesh, në të cilin do të na duhet përkushtim serioz për plotësimin e qëllimit, duke potencuar se ekspertiza e Drobnjakut pa dyshim se do të kontribuojë në këtë moment kyç, kur jemi duke u bërë gati për fazën më të rëndësishme dhe më të rëndë të procesit eurointegrues, ndërsa ato janë negociatat.

Drobnjak para ministrave dhe sekretarëve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, përmes diskutimit i potencoi sfidat me të cilat mund të përballet Maqedonia e Veriut, duke i pasur parasysh përvojat e Kroacisë në këtë pjesë.

“Negociatat janë të hapura dhe duhet ta vraponi këtë maratonë me përgjegjësi”, tha Drobnjak, duke shtuar se kemi përparësi lidhur me vendet e tjera në mënyrë komparative dhe se Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në mbështetjen e Kroacisë edhe më tej në procesin e përgjithshëm.

Zëvendëskryeministri Mariçiq dhe Drobnjak, siç potencohet, u pajtuan se kemi hyrë në një dimension të ri të eurointegrimeve dhe se ky do të jetë një proces kompleks, në të cilin duhet të jemi aktivë dhe të punojmë në reformat.