Pendarovski takoi Baiba Brazhen, ndihmëse në NATO për diplomaci publike

Shkup, 6 shtator – Presidenti Stevo Pendarovski sot e priti Baiba Brazhe, ndihmëse e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për diplomaci publike, e cila është për vizitë në vend me rastin e pjesëmarrjes në konferencën për komunikuesit e NATO-s, nikoqir i të cilës është Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Në takim u bisedua për bashkëpunimin midis NATO-s dhe Maqedonisë së Veriut, për konceptin e ri strategjik të Aleancës, si dhe për luftën në Ukrainë dhe rolin dhe rëndësinë e komunikimeve strategjike të NATO-s”, informuan nga kabineti i Pendarovskit.

Në atë drejtim u shkëmbyen mendime për funksionet dhe planet e komunikimit të Aleancës, për aktivitetet informative gjatë pushtimit rus të Ukrainës, bashkëpunimin me partnerët në këtë fushë dhe komunikimet digjitale.

“Presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut, duke i shfrytëzuar mekanizmat të cilat i kemi në dispozicion si anëtare e NATO-s, do të vazhdojë të luftojë në mënyrë aktive me qëllim të forcimit të rezistencës ndaj dezinformatave, parandalimin dhe zvogëlimin e efekteve të dëmshme të lajmeve të rreme, të cilat e minojnë sistemin dhe sigurinë kolektive”, kumtojnë nga zyra e presidentit.

Pendarovski theksoi se është i nevojshëm zhvillimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i komunikimeve strategjike, të cilët paraqesin një nga kapacitetet kyçe të sigurisë dhe se vendi edhe më tej do t’i mbështesë përpjekjet e përbashkëta të Aleancës me qëllim të krijimit të mendimit publik të bazuar në informacione të sakta faktike.