Vasko Kovaçevski: Me qeverinë kërkojmë mënyra për energji më të lirë elektrike për biznesin
Shkup, 5 shtator – Drejtori i përgjithshëm i SHA EMV, Vasko Kovaçevski, thotë se po kërkohen mënyra për të siguruar më shumë energji elektrike për biznesin dhe për t’u ndihmuar kompanive dhe institucioneve që ta kalojnë më lehtë krizën energjetike.
“Në periudhën e fundit si shtet jemi duke bërë përgatitje intensive për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike. Ne prodhojmë 100 për qind të gjithë energjisë që u nevojitet qytetarëve dhe konsumatorëve të vegjël, në vend të vetëm 60 për qind siç e parashikon ligji, në mënyrë që EVN Home të mos e blejë pjesën tjetër me çmimet e bursës, sepse kjo do të ndikojë në buxhetin e çdo qytetari”, tha Kovaçevski.
Ndërkaq, njeriu i parë i SHA EMV-së thekson se bashkë me Qeverinë po kërkojnë mënyra për të ndihmuar ekonominë dhe institucionet, pra të prokurojnë më shumë burime: qymyr, naftë dhe gaz natyror, që të kyçen në mënyrë plotësuese edhe nga kapacitetet e tjera, që ajo energji të prodhohet dhe t’i ofrohet sektorit të biznesit dhe institucioneve, për të ndihmuar tregun e lirë, ku çmimet janë disa herë më të larta se çmimet në tregun e rregulluar, të cilin EMV e furnizon.
“Ne po përgatitemi për sezonin e ngrohjes. Kryeministri Kovaçevski, ministri Kreshnik Bekteshi dhe unë, si përfaqësues i SHA. EMV, patëm diskutime intensive në kuadër të iniciativës për Ballkanin e Hapur, me vendet anëtare Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë, por edhe me Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën, të cilat po kërkojnë anëtarësim, se si të gjendet një mënyrë për të menaxhuar dhe përmirësuar së bashku situatën me prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike”, thotë Kovaçevski.

