Bursat: Dollari më i fuqishëm gjatë 20 viteve të fundit

Shkup, 5 shtator – Në bursat aziatike sot në mëngjes tregtohet me kujdes sepse zhvillimi i situatës në shumicën e ekonomive në botë nuk mbështet investime më të rrezikshme, përderisa vlera e dollarit në krahasim me shportën e valutave mbërriti nivelin e ri më të lartë gjatë 20 viteve të kaluara.

Indeksi MSCI i aksioneve aziative-paqësore, pa aksionet japoneze, ishte në minus prej 0,4 për qind rreth orës 6:30.

Njëkohësisht, në bursën e Tokios indeksi Nikei u dobësua për 0,1 për qind, përderisa çmimet e aksioneve në Korenë Jugore dhe Hong Kong ranë ndërmjet 0,2 dhe 1,2 për qind. Në Australi dhe Shangai janë rritur për 0,1 për qind. Në bursat aziatike ka kujdes sepse të dhënat e reja makroekonomike tregojnë për ngadalësim të mëtutjeshëm të rritjes së ekonomisë kineze, që mund të ketë ndikim negativ ndaj ekonomive të tjera të rajonit.

Krahas kësaj, investitorët janë të shqetësuar për situatën në Evropë, ku kriza energjetike mund të shkaktojë recesion. Gjatë fundjavës, Gjermania publikoi se planifikon të shpenzojë 65 miliardë euro për mbrojtje të qytetarëve dhe bizneseve nga shpenzimet e rritura, përderisa Finlanda dhe Suedia ofruan garanci financiare që t’i mbajnë kompanitë energjetike të hapura.

E gjithë kjo është pasojë e mungesës së energjenceve dhe rritja e fuqishme e çmimeve të tyre për shkak të luftës në Ukrainë. Në mënyrë shtesë, për shkak të inflacionit të lartë, pritet rritje plotësuese agresive e normave të interesit edhe në SHBA edhe në Evropë, që në mënyrë plotësuese do ta ngadalësojë rritjen e ekonomive.

Në tregun e valutave vlera e dollarit në krahasim me shportën e valutave u rrit në mënyrë plotësuese, pasi u rrit tri javë me radhë, duke mbërritur nivelin e ri 20-vjeçar. Indeksi i dollarit, i cili e tregon vlerën e dollarit amerikan në krahasim me gjashtë valutat e tjera më të rëndësishme në botë, sot në mëngjes arriti 110,08 pikë, përderisa të premten në mbrëmje ishte 109,50 pikë.

Euro është nën presion pasi gjigandi rus energjetik Gazprom tha të premten se nuk do të vazhdojë dërgesat e gazit natyror në Gjermani nëpërmjet Rrjedhës Veriore 1 për shkak të rrjedhjes së naftës. Kjo mund të thellojë krizën energjetike në eurozonë dhe ta shtyjë ekonominë në recesion. Nga ana tjetër, inflacioni i lartë rekord në zonë i bën presion Bankës Qendrore Evropiane për të shtrënguar në mënyrë agresive politikën monetare.