Biden dëshiron t’i kthejë zgjedhjet e nëntorit në një referendum për Trampin
Referendum për Donald Trampin dhe idetë e tij “ekstremiste”, ndërsa jo votim për Xho Bajden dhe të metat e tij: ja se si presidenti amerikan do të dëshironte që bashkatdhetarët e tij t’i qasen zgjedhjeve parlamentare në gjysmë të mandatit të tij që do të mbahen në nëntor, shkruan agjencia Frans pres.
Presidenti 79-vjeçar demokrat, i cili është ende i papëlqyer nga amerikanët, pavarësisht rritjes së vlerësimeve personale në sondazhe, shpesh thotë: “Mos më krahasoni me Zotin e plotfuqishëm, më krahasoni me alternativën”.
Në këtë mënyrë, sipas mediave franceze, ai dëshiron të thotë se të metat e tij nuk janë asgjë në krahasim me rreziqet që lidhen me kampin e kundërt.
Dhe kampi i kundërt është ai i paraardhësit të tij Donald Tramp dhe mbështetësve të tij më të vendosur, të cilët Xho Bajden i sulmoi të enjten mbrëma me mprehtësi të rrallë.
Në një fjalim të fushatës në Filadelfia, Bajden tha: “Donald Tramp dhe MAGA-Republikanët (“Make America Great Again”) përfaqësojnë ekstremizmin që kërcënon vetë themelet e republikës sonë”.
Përfaqësuesit e së djathtës radikale “ushqehen me kaos. Ata nuk jetojnë në dritën e së vërtetës, por nën hijen e gënjeshtrës”.
Megjithatë, presidenti siguroi të premten se nuk po sulmon të gjithë votuesit e Donald Tramp.
“Unë nuk e shoh çdo mbështetës të Trampit si një kërcënim për demokracinë, tha ai para një grupi gazetarësh në Shtëpinë e Bardhë dhe theksoi se ata që votojnë për Trampin nuk po votojnë për Kapitolin dhe po anulojnë zgjedhjet në të njëjtën kohë.
“Nju Jork Tajms” shkroi dje: “Nëse i pyet amerikanët nëse e mbështesin Bajdenin, ata ndoshta do të thonë jo”. Nëse i pyet nëse e mbështesin kundër Trampit, ata mund të thonë vetëm po. Kjo është teoria e Shtëpisë së Bardhë”.

