Kryeministri Kovaçevski për vizitë në Probishtip, Rankovce dhe Kriva Pallankë

Shkup, 28 gusht – Kryeministri Dimitar Kovaçevski i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski sot do të marrë pjesë dhe do të ketë fjalim në ngjarjen me rastin e shënimit të Ditës së minatorëve në Probishtip.

Nga Qeveria kumtuan se kryeministri Kovaçevski, do të marrë pjesë në lëshimin në përdorim të sistemit të ujitjes Slavishko Pole në fshatin Dllaboçicë, Komuna e Rankovcës. Në ngjarjen me rastin e përfundimit të këtij projekti të financuar me fondet e BE-së do të marrë pjesë edhe Feruço Bogo, ushtrues detyre i anëtarit të Delegacionit të BE-së. Në kuadër të agjendës tërëditore, kryeministri Kovaçevski do të inspektojë edhe aktivitetet ndërtimore në çerdhen “Detelinka” në Kriva Pallankë, të cilat janë në fazën përfundimtare.Përndryshe, sistemi i ujitjes në Slavishko pole, i financuar nga BE-ja, përfshin ndërtimin e një konstruksioni të ri prej betoni për devijimin e Kriva Rekës (me diga kontrolluese, kalim peshku, rezervuar për sedimentim), rregullimin e shtratit të lumit dhe rrjet vaditës në gjatësi 20 .5 kilometra në një sipërfaqe bujqësore arë prej 242 hektarëve.

Nga Delegacioni i BE-së informuan se ndihma e BE-së zëvendëson praktikat e mëparshme primitive të ujitjes dhe prezanton një sistem vaditjeje moderne, me kosto të ulët dhe ekologjike përmes tubave të mbyllur nëntokësor që janë nën presion nga graviteti.Deri më tani, BE-ja ka ndihmuar me 6.1 milionë euro për ndërtimin e pesë sistemeve të vogla të ujitjes në Maqedoninë e Veriut. 3.6 milionë euro shtesë janë në dispozicion për dy sisteme të tjera të tilla, duke e çuar shumën totale të ndihmës evropiane në sektorin e ujitjes në rreth 10 milionë euro.