Berisha për aksionin e opozitës: Protesta dhe mosbindje civile, dhunë nuk ka por as gudulisje

Opozita po përgatitet për aksionin politik të shtatorit. Kreu i PD-së, Sali Berisha, nga Pogradeci tha se PD nuk merr pushtet përveçse me votë por se protestat nuk do mungojnë deri te mosbindja civile.

Berisha: PD nuk merr pushtet në rrugë tjetër përveçse me votë. Protesta është institucioni demokratik për ti dhënë mësimet e duhura këtij regjimi. Aksioni opozitar do vazhdojë me të gjitha format e protestave përfshirë dhe mosbindjen civile. Mosbindja civile nuk është e dhunshme por as gudulisëse nuk është. Marrëdhëniet me Partinë e Lirisë janë shumë të mira, jemi në sintoni të plotë. Asgjë nuk pengon dot këtë opozitë nga fitorja, Edi Rama e i ka kohërat e numëruara, e shihni si përpëlitet.

Berisha komentoi edhe hetimin e SPAK për Metën.

Berisha: Gjithçka është në kuadrin e shndërrrimit të SPAK, SHISH, Komisionit të Dosjeve në anekse të zyrës së Edi Ramës, gjithçka zhvillohet në kuadër të shtetit monist.

Lidhur me nismën e mazhorancës për dosjet ai tha se PD mbetet gjithmonë në favor të lustracionit.

Berisha: PD e ka votuar ligjin e lustracionit dy herë. PD është gjithmonë për ligjin e lustracionit, nuk ka asnjë hezitim por nuk duhet ngutur. Edi Rama është në panik të tmerrshëm dhe mendon se duke përdorur procedura ligjore kundër kundërshtarëve do shpëtojë, nuk shpëton. E ka nisur me një falsifikim.