EDITORIAL / A nuk i kuptuan Komunat aspak leksionet nga 22 viktimat e vërshimeve në Hasanbeg!

Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 24 gusht – Komunat në Maqedoninë e Veriut kurrsesi të zënë mend e të jenë njëherë në gjendje gatishmërie me atë çfarë po ndodh nga reshjet e shiut, e nga reshjet e borës. Duket se gjithmonë janë në gjumë, e kur ndodhin katastrofa natyrore, tek atëherë zgjohen nga gjumi. Dimrit i zë në befasi bora, kurse tani në pikun e verës i zë në befasi shiu. Vërshimet e ditëve të fundit kanë lënë shumë familje pa kulm në kokë, e kryetarët e komunave asnjëherë nuk u panë të gatshëm t’iu paraprijnë zgjidhjeve.

Malësia e Tetovës u dëmtua nga Vërshimet, komuna njofton se do pastroj lumenjtë

Ditë më parë në Tetovë dhe rrethinë ka pasur dëme të shumta nga vërshimet e shiut. Fshati Gjermë në malësinë e Tetovës u godit më së shumti pasi disa familje mbetën edhe pa kulm në kokë, me makina të dëmtuara, pa rrymë elektrike dhe pa ndihmën e askujt.

Banorët e fshatit Gjermë vazhdimisht kanë kërkuar dhe kanë alarmuar autoritetet e komunës që të ndërtojnë një mur mbrojtës rreth përroit nga i cili gjithmonë vijnë reshje të mëdha, e të cilat pastaj shkaktojnë dëme të mëdha.

E pamje të tilla në malësinë e Tetovës nuk janë të rralla. Para disa viteve dëme të tilla të mëdha kishin ndodhur në Shipkovicë, por edhe pse u konstatua se duhet të ketë ndërtime të mureve mbrojtëse deri më tani asgjë nuk është bërë.
Dëme nga vërshimet ka edhe në qytetin e Tetovës pasi dhjetëra bodrume shtëpish, dyqane dhe objekte të tjera janë përmbytur.

Kreu i Tetovës Bilall Kasami tha se janë riparuar dëmet në disa zona dhe se po ndërmarrin masa për të parandaluar përmbytjet e reja të mundshme, duke kërkuar ndihmë nga Qeveria për dëmshpërblimin e banorëve. Ai thotë se autoritetet komunale kanë dalë në terren dhe kanë pastruar disa nga rrugët e përmbytura si dhe lagjen Drenovec, dhe kanë vendosur që pikat kritike të lumenjve siç janë në Poroj dhe Reçicë të vogël të pastrohen dhe të jenë në mbikëqyrje permanente.

Përmbytjet në Dollnen dëmtojnë mbi 50 shtëpi

Vërshimet ditëve më parë kanë përmbytur 50 shtëpi në fshatin Llazhan, Komuna e Dollnenit, pasi shiu i rrëmbyeshëm kishte përfshirë rajonin e Pellagonisë. Kryetari i Komunës së Dollnenit, Urim Ibeski, tha se nuk ka persona të lënduar por dëmet materiale janë të shumta. Ai thotë se shkak i përmbytjes është derdhja e lumit Sazhdevska, i cili për shkak të motit të lig, si dhe ndërtimeve të papërgjegjshme dhe mbeturinave, ka përmbytur një numër të madh të shtëpive. Qytetarët e evakuuar kanë kaluar natën te familjarët dhe miqtë e tyre të afërm, ndërsa banorët me mjete të tyre po përpiqen të pastrojnë mbeturinat.

A nuk u kuptuan aspak leksionet nga 22 viktimat e vërshimeve në Hasanbeg!

Banorët e Shkupit gjegjësisht vendbanimet, Hasanbeg dhe fshatrat Stajkovc, Straçincë, Rashtak dhe Haraqinë përjetuan katastrofën natyrore me përmasa shkatërruese dhe fatale pasditen e 6 Gushtit të vitit 2016. Si pasojë e vërshimeve humbën jetën 22 persona gjithashtu mbetën të shkatërruara shumë shtëpi, biznese, e dëme të tjera materiale. Njerëz të shumtë dolën për të ndihmuar në teren, për pastrim të shtëpive dhe kërkimin e personave të zhdukur, e një prej tyre ende nuk është gjetur.
Hasanbegut pas vërshimeve i erdhën në ndihmë shtete të ndryshme të rajonit dhe pjesën më të madhe të dëmit material pothuajse e kompensuan. Pas këtyre vërshimeve banorëve e lagjeve të lartpërmendura iu dashtë disa muaj që t’i kthehen jetës normale.

Leksionet nga vërshimet në atë kohë siç duket nuk i morën parasysh shteti, por as edhe komunat. Ata nuk po e kuptojnë se nuk ka lojë me mbeturinat dhe me fuqinë natyrore. Komunat, duhet që t’i mbajnë të pastruara shtretërit e lumenjve në mënyrë të vazhdueshme. Nuk lejohet që të bëhen ndërtime pa leje pranë lumenjve ose të ngushtohen ato. Dëmet pastaj janë të katastrofale dhe pikërisht për këtë arsye shteti duhet të ndërmarrë masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që i thyejnë këto rregulla.

Pas këtyre vërshimeve, u nda buxhet nga shteti që të pastrohen shtretërit e lumenjve, por kjo traditë e vënë shpejt u harrua dhe shtretërit e lumenjve sërish janë mbushur. Fajtor janë edhe qytetarët që hedhin mbeturina, inerte, material ndërtimor, mobile dhe gjithçka që kanë nëpër shtëpitë e tyre, por lumenjtë ngushtohen dhe pengohen edhe nga shkurret, rrënjët e drunjtëve, gurëve etj., prandaj nevojitet që ato të pastrohen së paku njëherë në vit.

Fatmirësisht në Tetovë e Dollnen kësaj radhe nuk kishte dëme të njerëzve, por kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk mund të ndodhin vërshime edhe më të mëdha. Gradualisht po futemi në sezonin e vjeshtës dhe të dimrit, kur reshjet e shiut dhe ato të borës do të rriten, prandaj është momenti i fundit që komunat dhe shteti mos të kapen më në gjumë nga katastrofat natyrore.